Sulmuesi i Lazios, Ciro Immobile është përfshirë në një aksident automobilistik me një tramvaj në Romë mëngjesin e sotëm. Pervç Immobile, në aksident janë përfshirë dhe dy vajzat e tij, të cilat ishin gjithashtu në makinë. Raportohet se të gjithë janë mirë.
“Tramvaji kaloi në një semafor të kuq. Për fat jam mirë, vetëm më dhemb pak krahu”, tha kapiteni i Lazios. Ai u dërgua në spitalin Gemelli për kontrolle rutinë së bashku me dy vajzat e tij.
Në aksident janë përfshirë edhe makina të tjera dhe shtatë persona janë transportuar në spital me autoambulancë.
Thuhet se Tramvaji 19 po kalonte në Ponte Matteotti (që lidh lagjen Flaminio me atë të Pratit, pranë stadiumit Olimpik) kur goditi SUV-në e sulmuesit të Lazios, duke e shkatërruar në pjesën e përparme.
Përplasja ka ndodhur me shpejtësi të madhe, ku transporti publik në fakt ka dalë nga shinat.
Italiani Immobile, 33 vjeç, ka shënuar 12 gola në 30 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.