I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për shërbimin shqiptar të Zërit të Amerikës se pret që deri më 2 maj, kur liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel, që qeveria e Kosovës të prezanton një draft të zbatueshëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Sipas z. Escobar, është arritur përparim në çështjen e asociacionit dhe siç tha ai – “kemi një evolucion të madh në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, e veçanërisht të kryeministrit Albin Kurti, për ta pranuar atë detyrim ligjor”.
“Është një detyrim ekzistues, sipas Marrëveshjes së Brukselit, që ishte shumë e vështirë për qeverinë, e veçanërisht për atë parti, ta pranonte si detyrim, por tani po e flasin si detyrim. Ata u pajtuan me të dhe deklaruan publikisht se cila është korniza dhe cilat duhet të jenë parametrat për formimin e asociacionit dhe ne pajtohemi me ato parametra”, ka thënë Escobar.
Ky zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha poashtu se Shtetet e Bashkuara do të njohin zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato, duke thënë se “një bojkot nuk i përcakton zgjedhjet”.
“Ne e patem ftuar, dhe unë personalisht ndërhyra duke e ftuar listën Srpska të marrë pjesë dhe të mos heqë dorë nga ndikimi që mund të ketë. Ata vetë vendosën të mos marrin pjesë. Por ato zgjedhje janë detyrim kushtetues. Vendet e punës janë pa punëtorë. Njerëzitë nuk po marrin shërbime në komunat e tyre sepse nuk ka drejtues. Nëse këto zgjedhje janë të drejta dhe të drejta, siç pres të jenë, nga këndvështrimi ynë rezultati do të jetë legjitim” ka thënë Escobar.
Escobar ka shtuar duke thënë se bojkoti nuk duhet të vonojë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas tij, “Ky detyrim është një kërkesë e menjëhershme. Pavarësisht se kush është në pushtet, ai institucion, asociacioni duhet të formohet”.
Escobar vlerësoi Marrëveshjen e Ohrit si “të jashtëzakonshme” dhe tha se, nëse zbatohet siç duhet, ajo do të sjellë “një epokë të re në marrëdhëniet paqësore midis Serbisë dhe Kosovës” dhe do të hapë rrugën për të ardhmen e tyre euro-atlantike.