Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka konfirmuar për Klankosova.tv se Petrit Dula, ish i dënuar me dy vjet burg nga një gjykatë në Serbi për gjoja krime lufte, tashmë është liruar.
Sipas MPJD-së, Petrit Dula e ka njoftuar Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, përkatësisht ambasadorin Jetish Jashari përmes telefonit se Gjykata e Apelit në Serbi, në seancën e 7 prillit të këtij viti e ka liruar nga akuzat dhe i njëjti është kthyer në Kosovë.
“Diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe avokatët mbrojtës të z. Dula gjatë kohës sa ai ka qenë në arrest dhe pasi është dënuar nga Gjykata e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit”.
“Z. Dula po ashtu është vizituar disa herë në Burgun Qendror (‘Centarlni Zatvor’) të Beogradit nga ambasadori Jashari dhe sekretari i parë z.Haxholli, duke i ofruar mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës për çfarëdo kërkese të tij apo familjes së tij”, është shprehur zëdhënësja e MPJD-së, Qëndresa Fazliu, njofton Klankosova.tv.
Fazliu ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i ka mbajtur të informuara misionet diplomatike të akredituara në Serbi me rastin e Dulës si dhe me faktin që sipas tyre, ai është arrestuar dhe dënuar padrejtësisht nga gjykata serbe.