Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se qytetarët e komunitetit serb po vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi.
Ai thotë se ata serbë që duan të përfshihen në institucionet kosovare po shantazhohen e po arrestohet nga Serbia.
“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion iu kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”.Sveçla thotë se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre.
“Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”. Ai i fton qytetarët serbë që nesër të dalin të votojnë, duke thënë që përmes votës nesër mund të çlirohen nga grupet e dirigjuara nga presidenti i Serbisë. Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta.