Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt.
“Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat… Përsëritje nuk do të ketë”, thotë Daka
Deri më tani është raportuar për numër të vogël votuesish në komunat veriore me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – ku po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar
“Me këtë mosdalje në zgjedhje, serbët janë duke e përcjellë një mesazh te Qeveria e Kosovës, se ata nuk do t’i pranojnë kryetarët, të cilët dalin nga këto zgjedhje”, thotë Daka.
Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore