Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se situata në veri është e qetë dhe procesi zgjedhor po vazhdon pa incidente. Ai deklaroi për RTK-në të dielën se këto zgjedhje janë më ndryshe në aspektin e sigurisë pasi Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë më të angazhuara.
“Realisht kemi një situatë të qetë që do të thotë se për dallim nga më herët, ka mungesë të incidenteve. Jemi dëshmitarë të bojkotit nga ana e Listës Serbe dhe të presionit të ditëve të fundit që iu janë bërë qytetarëve të etnisë serbe që të mos dalin në zgjedhje. Sot nuk vërehet tendencë për eskalim të situatës”, deklaroi Sveçla.
Sipas ministrit, institucionet janë duke punuar me kapacitete maksimale për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa shtoi se Qeveria është më e vendosur se kurrë që veriun “ta bëjmë pjesë të zakonshme si të gjithat në Republikën e Kosovës”.
“Padyshim se ky është proces, por jemi në rrugë jashtëzakonisht të mbarë që këtë edhe ta bëjmë, e dikujt, sidomos Listës Serbe dhe Beogradit kjo s’i leverdisë, e është në kundërshtim ne planet e tyre pasi ata me çdo mjet mundohen ta kundërshtojnë këtë”, shtoi Sveçla.