OSBE pas zgjedhjeve në veri: Të merren parasysh interesat e gjithë komuniteteve

by informim

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë se të drejtat e dhe interesat e të gjithë komuniteteve që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës, duhet të kihen parasysh pas zgjedhjeve në atë zonë.

Jeff Bieley, shef për çështje politike dhe për komunikim në misionin e OSBE-së në Kosovë, ka komentuar për Radion Evropa e Lirë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetarët e komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Këto zgjedhje u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe, dhe dalja në to, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ishte vetëm 3.47 për qind.

“Do të ishte e preferueshme që të gjitha komunitetet të merrnin pjesë plotësisht, si kandidatët ashtu edhe votuesit”, tha Bieley

Megjithatë, sipas tij, ishte pozitive që, “pavarësisht dallimeve politike për mbajtjen e zgjedhjeve, nuk u bë asnjë përpjekje për të prishur procesin në ditën e zgjedhjeve”.

OSBE-ja, që në të kaluarën është angazhuar në monitorimin apo edhe organizimin e zgjedhjeve lokale dhe qendrore në Kosovë, bëri të ditur se nuk i është kërkuar angazhimi në këto zgjedhje në asnjë kapacitet.“OSBE-ja… nuk ka pasur rol në lehtësimin e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti 2020. Kjo për shkak se KQZ-ja ka dëshmuar që nga nëntori i vitit 2020 se ka aftësi teknike për të mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës pa mbështetje operacionale nga OSBE-ja”, theksoi ai.

Sipas rezultateve preliminare, garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, e fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq në Zveçan dhe Zubin Potok fituan ata të Partisë Demokratike të Kosovës

Nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.

Më parë këto komuna janë udhëhequr nga anëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë- Lista Serbe- e cila kësaj here bojkotoi zgjedhjet.Për bojkotimin e zgjedhjeve nga serbët e Kosovës, liderët kosovarë e fajësuan ndikimin e Beogradit.

Ndërkaq liderët e Serbisë kanë paralajmëruar “një krizë të thellë” në atë zonë.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe. /REL

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy