16:14 – Pranimi i aplikimit të Kosovës në KiE, përmenden dialogu dhe Ohri
Komiteti i Ministrave ia ka përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pranimin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në njoftimin e lëshuar nga Komiteti i Ministrave thuhet se për bazë i kanë marrë edhe të arriturat e Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë për ta pranuar aplikimin për anëtarësim.
“Duke kujtuar Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 dhe aneksin e saj të zbatimit, të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja të udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë, dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim”.
“Këshilli i Ministrave vendosi t’i transmetojë Asamblesë Parlamentare për konsultim letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës (dokumenti DD(2022)200), pa cenuar shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kësaj kërkese për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv
15:52 – Kurti: Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
“Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”.
“Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë. Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer”, ka thënë Kurti.
15:47 – Osmani: Flamuri i Republikës së Kosovës do të valëvitet edhe në Këshillin e Evropës
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se flamuri i Kosovës do të valëvitet së shpejti edhe në Këshillin e Evropës.
Osmani falënderoi të gjithë aleatët që votuan pro Kosovës, raporton Klankosova.tv.
“Së shpejti, flamuri i Republikës së Kosovës do të valëvitet edhe në Këshillin e Evropës”.
“Faleminderit aleatëve tanë që sot votuan jo vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”.
15:42 – Gërvalla: Kosova kalon etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka njoftuar se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.
Gërvalla tha se ky vendim i sotëm përbën hap historik për Kosovën, ndoshta sipas saj, më i rëndësishmi pas pavarësisë.
“Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”.
“Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar si anëtare e Këshillit të Evropës”.
“Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu. Një falënderim i posaçëm iu shkon të gjithë atyre shteteve, të cilat edhe pse nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, nuk e kanë bllokuar anëtarësimin tonë”.
“Nuk mund të lë pa falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përsëri dëshmuan të jenë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, dhe të cilat na mbështetën fuqishëm në dialogun tonë me një numër të madh të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”.
“Kur në maj të vitit të kaluar, pra para më pak se një viti, dorëzuam në Këshillin e Evropës kërkesën për anëtarësim, numri i skeptikëve ishte i madh. Sot e dijmë se sa i rëndësishëm dhe vendimtar ka qenë guximi i atyre ditëve”.
“Falë vullnetit të palëkundur të qytetarëve të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe demokraci, të shprehur në votën masive të 14 shkurtit, Kosova, si shembulli më i mirë i demokracisë në rajon, do të ecë e sigurt në rrugën e saj euroatlantike”.
“Ka edhe shumë punë për të bërë, shumë sfida për të përballuar, por dita e sotme meriton të festohet denjësisht”.
15:41 – Pranohet aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës
Këshilli i Evropës e ka pranuar sot aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion evropian.
Komiteti i Ministrave sot e ka miratuar me dy të tretat e votave aplikimin e Kosovës në KiE.
Për këtë ka reaguar edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i cili ka thënë se ky është një sukses i rëndësishëm multilateral i Republikës së Kosovës, veçanërisht pas një periudhe të kompromiseve në të kaluarën, të cilat ia pumundësuan Kosovës anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Tani, na pret një punë intensive në APKiE, organ i cili do të përpilojë një numër raportesh mbi Kosovën dhe do ta jap opinionin e tij mbi anëtarësimin e saj në KE”, ka thënë Ahmeti.