Qytetarët serbë në katër komunat e veriut nuk dolën në zgjedhjet e jashtëzakonshme sepse u frikësuan nga politika radikale serbe, por pavarësisht kësaj, zgjedhjet ishin legale dhe kanë legjitimitet të plotë. Kështu deklaruan profesorët universitarë dhe ata të sigurisë.
Vlerësimi i përgjithshëm ishte se zgjedhjet ishin të qeta, ndërsa Serbia që kishte dominim të plotë mbi serbët e veriut, nuk arriti të ketë ndikim edhe mbi procesin institucional në veri.
Artan Mustafa, ligjërues i Politikave Sociale, tha se Kosova ka bërë zgjedhje të mira, por këto të ditës së sotme kanë pasur natyrë tjetër, kanë qenë të jashtëzakonshme dhe të sfiduara nga komuniteti serb.
“Zgjedhjet nuk kanë qenë zgjedhje të rëndësishme nga aspekti i qeverisjes, por një kontestim i një gare i shtetit të Kosovës dhe asaj Serbisë për sovranitet. Serbia ka dëshmuar të ketë kontroll real atje”, deklaroi ai.
Mustafa megjithatë tha se Kosova nuk mund t’i ikë Asociacionit, pasi ky është një proces që ka nis nga vitit 2004.
Megjithatë ai tha se në këtë zgjedhje, nuk ka dominuar vetëm kërcënimi e frika që nuk kanë dalë në zgjedhje, por ka edhe një rezistencë e serbëve dhe Serbisë, kundër institucioneve të Kosovës. “Shmangies së dhunës i ka ndikuare dhe reagimi i diplomatëve ndërkombëtare”, deklaroi mes tjerash Mustafa.
Ndërsa profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Flamur Hyseni tha se procesi i zgjedhjeve ka qenë i rregullt, ndërsa e mira, sipas tij është, se Serbia nuk arriti që të vendosë për rendin dhe ligjin në veri.
“Qeveria ka qenë e vendosur dhe zgjedhjet janë legale dhe çka është legale është edhe legjitime. Nëse shkojmë në aspektin hipotetik se ata (serbët) janë shumicë, kjo nuk paraqet relevancë. Serbët është dashtë të dëgjojnë Beogradin, por Prishtinën dhe të dalin në zgjedhje”, deklaroi Hyseni.
Sipas tij, ka një lloj vetëdijesimi pasi që nuk ka pasur asnjë incident në zgjedhje. “Bandat e ashtuquajtura dhe Serbia nuk kanë arritur të ndikojnë në proces”, tha ai.
Ndërsa analisti dhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi tha se presioni mbi serbët në veri ka qenë i madh dhe i vazhdueshëm nga Beogradi. Ai përmendi djegien e veturave, e madje edhe dorëheqjen e Jabllanoviqit.
“Këto zgjedhje ishin të qeta, ndërsa në aspektin e legjitimitetit është për të dëshiruar, por ky proces është përmbyllur me sukses”, tha Ibishi, i cili tha se fillimisht ka qenë për shtyrjen e zgjedhjeve.
“…por e mira është se procesi ka ecur mirë dhe organet e shtetit kanë kryer punën e vet, përfshirë këtu policinë e Kosovë”, tha ai.
Edhe mediet e huaja kanë kushtuar vëmendje për zgjedhjet në veriun e Kosovës, me fokus te bojkoti serb për shkak të presioneve që Serbia ka ushtruar ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për 4 kryetarët e komunave në veriun e Kosovës kanë zgjuar interesimin e medieve ndërkombëtare, shumica prej të cilave kanë qenë të fokusuara te numri i vogël i pjesëmarrësve të serbëve në këto zgjedhje, për shkak të presionit që ka ushtruar Serbia.
Kështu Reuters në tekstin e titulluar “Serbët e Kosovës refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”, mes tjerash, ka cekur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar që serbët e Kosovës t’i bojkotojnë zgjedhjet, pasi që në to nuk marrin pjesë përfaqësuesit e “Listës Serbe”.
Reuters shton më tutje se Lista Serbe është përqendruar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si çështje kryesore në politikën e Serbisë ndaj Kosovës.
Ndërkaq mediumi publik i Polonisë (TVP), flet për numrin e vogël të pjesëmarrësve të votuesve serbë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, të nxitur nga Beogradi.
“Fakti që Serbia kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhje me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është shenjë që marrëveshja e nënshkruar, muaj më parë, mes Kosovës e Serbisë në Ohër, nuk është duke funksionuar.
Kurse Rel-i në raportin e saj flet për bojkotin dhe numrin e vogël të votuesve serbë në zgjedhjet lokale në komuat e veiut të Kosovës.
Sipas Rel-it bojkoti i serbëve në pjesëmarrjen në zgjedhje, u organizua nga Beogradi zyrtar. Ky është një mesazh për Kosovën e ndërkombëtarët se serbët nuk do t’i pranojnë zyrtarët e zgjedhur nga këto zgjedhje.
E Zëri i Amerikës gjithashtu ka shkruar për zgjedhjet në veriun e Kosovës, ku, mes tjerash, ka cekur se që nga nëntori i vitit të kaluar dhe dorëheqja masive e zyrtarëve serbë, qytetarët serbë në veriun e Kosovës mbrohen nga policët shqiptarë e që, mes tjerash, njofton edhe për bojkotin masiv i nxitur nga Beogradi zyrtar, duke i shantazhuar e frikësuar kandidatët dhe qytetarët serbë për të mos marrë pjesë në zgjedhje, ku prej dhjetë kandidatëve për kryetarë komunash, ka marrë pjesë vetëm një prej tyre.