Vuçiq: Serbia do të aplikojë reciprocitet për shkak të Kosovës

by informim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti i tij do ta aplikojë parimin e reciprocitetit ndaj atyre që votuan pro Kosovës në Këshill të Evropës duke deklaruar se “nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin.

Më seancën e së martës të Qeverisë së Serbisë, ku është diskutuar për Kosovën, sipas Vuçiqit, janë ndarë detyrat në sferën e politikës së jashtme.

banner

“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, ka thënë Vuçiqi, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, ai ka thënë se Serbia është mirënjohëse ndaj vendeve që kanë votuar të hënën kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka veçuar Hungarinë.

“Ne i jemi mirënjohës sidomos Hungarisë. Ata [hungarezët] kanë dëshmuar se janë miqtë më të mëdhenj të Serbisë”, u shpreh Vuçiq.

Ai ka shtuar se Beogradi e ka ditur që Kosova e ka shumicën e mbështetjes në Këshillin e Evropës.

“Faleminderit Spanjës, Qipros, Rumanisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, që kanë votuar për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar vendeve që kanë votuar kundër vendimit për ta dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës tek Asambleja e tij Parlamentare.

Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi të hënën që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare. Kështu nisën edhe zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e cila u dorëzua nga Kosova qysh në maj të vitit 2022. Sipas informacioneve nga Brukseli, 33 përfaqësues të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës votuan pro vendimit, shtatë ishin kundër dhe pesë abstenuan.

Vuçiq ka thënë se vendimi i Këshillit të Evropës për Kosovën është mbivotuar dhe se abstenimi praktikisht nënkupton votë “pro”.

Ai ka deklaruar se abstenimi i Greqisë – vend i BE-së që s’e njeh pavarësinë e Kosovës – ishte i pritshëm. Megjithatë, s’ka lënë pa komentuar abstenimin e Ukrainës.

“Ka pasur zhgënjim. Serbia kurrë nuk ka qenë e përmbajtur ndaj integritetit territorial të Ukrainës”, ka thënë Vuçiq.

Serbia ka votuar, po ashtu, kundër Kosovës në Këshill të Evropës, edhe pse me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dy vendet janë zotuar se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Seanca e Qeverisë së Serbisë, ku temë e parë e rendit të ditës ishte Kosova, u mbajt pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, të cilat u zhvilluan më 23 prill./REL

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy