Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se keqpërdorimet në sektorin e energjisë nuk kanë qenë të papritura, derisa ka akuzuar pushtetin se ka zgjedhur përfitimet personale para atyre të qytetarëve.
“Konsideroj që tema për të cilën jemi mbledhur, përkundër këtij joserioziteti që po e tregoni, është e rëndësishme për qytetarët. Ka dyshime për keqpërdorime marramendëse, të cilat s’janë të papritura në sektorin e energjisë. Janë befasuese sjelljet e shumicës qeverisëse, kryeministrit në veçanti, në çdo vend demokratik normal në momentin kur është bërë publik lajmi i arrestimit të shefit të energjisë”.
Krasniqi tha se pas lajmit për arrestimin e kryeshefit të KEK’ut është dashur që kryeministri Kurti ta shkarkojë atë, raporton Express.
“Një kryeministër normal do të duhet të kërkojë shkarkimin imediat të bordit dhe kryeshefit pa e paragjykuar fajësinë e tij. Hera e parë që ndodh diçka e tillë. Pa opozitën, duke i ikur debatit fillimisht, lë që e mbron shokun e bashkëpartiakun e tij, të famshmin Nagip Kransiqi, por e sulmon dhe shantazhon, duke i kërcënuar me emra prokurorët”
Krasniqi komentoi edhe “mbrojtjen e Nagip Krasniqit nga kryeministri”.
“Duke thënë burri i mirë, ai nashta është i mirë te shtëpia e vet, në akraba, por atje [KEK] s’është për të qenë burrë i mirë, por është t’i respektoj rregullat. Po flasim për dyshime të keqpërdorimit të mbi 70 mln euro”.
Ai tha se është vazhdim i aferave dhe skandaleve të Qeverisë Kurti.
“Të gjitha këto bashkë shpërfaqin dy gjëra: Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë dhe keqpërdorimit të sistemit absolut që e ka instaluar në këtë sektor; Qytetarët jetojnë më keq, sepse me këto para ka pasë mundësi të bëhen përmirësime në shumë sektorë. Por, në vend se me zgjedhe t’ia përmirësojnë jetën e qytetarëve, kanë zgjedhur t’ia përmirësojnë vetes dhe t’i mbushin xhepat e disave”.
Krasniqi tha se dëmi është i madh dhe i pariparueshëm, derisa tha se nuk është për t’u habitur që “qytetarët po e lëshojnë vendin”.