“Serbia ka shkelur Marrëveshjen”, “BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës” – deklaratat pas votimit në Komitetin e Ministrave të KiE-së 

by informim

Shkelja e marrëveshjes së Ohrit me rastin e votimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërcënimi ndaj atyre që votuan në favor të Kosovës ka ngjallur reagimin e zyrtarëve vendorë dhe më pas atyre të Bashkimit Evropian.

Një ditë më parë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të veprojë ndaj Serbisë e jo vetëm të mbajë shënim pasi kjo e fundit shkeli marrëveshjen e Ohrit.

banner

“Duke votuar kundër dhe duke kërcënuar ata që votuan në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e  Evropës, Serbia ka shkelur Marrëveshjen Themelore”, ka shkruar Ahmeti në Twitter.

“Për më tepër, shefi i diplomacisë Ivica Daçiq deklaroi se Serbia dëshiron ndarjen e BeH. Kjo nuk është një gjë që BE-ja ta dijë, por ta dënojë ashpër”, vijon tutje postimin zëvendësministri i Jashtëm.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti

E zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

“Diskutimet për nënshkrimin [e marrëveshjeve] janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi [i marrëveshjeve] do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, ka thënë Stano për REL.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ata u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje dhe ka deklaruar se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.

Zëdhënësi i BE-së konfirmoi se marrëveshja e arritur në Ohër është ende e vlefshme dhe se fokusi i të gjithëve duhet të jetë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

E zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në lidhje me takimin e 2 majit në Bruksel që pritet të mbahet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se takimet e radhës tash e tutje gjithmonë do ta kenë në fokus zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Takimi i radhës tash e tutje gjithmonë do ta ketë në fokus zbatimin e marrëveshjes. Ka qenë një ndërmarrje shumë e madhe që e ka mundësuar një dakordim të tillë, do të mundësohet zbatimi i plotë i saj. Në kuadër të asaj marrëveshjeje, është një çështje që kërkon urgjencën, dhe në të njëjtën kohë e ka edhe në tekst fjalën “urgjencë”, është ajo për të “zhdukurit me dhunë” dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Kundër anëtarësimit të Kosovës kanë votuar Hungaria, Rumania, Serbia, Qipro, Gjeorgjia, Spanja dhe Azerbajxhani.

Kanë abstenuar Ukraina, Greqia, Sllovakia, Moldavia, Bosnja dhe Hercegovina, ndërkaq, shteti i Armenisë nuk ka marrë pjesë fare në votim.

Ndërsa pro anëtarësimit të Kosovës votuan: Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar./Telegrafi/

Para se të mbahej votimi në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregoi se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Kjo organizatë ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy