Ish-diplomati serb: Politika e jashtme serbe ka përjetuar fiasko, Kosovën e humbëm përfundimisht

by informim

Ish-diplomati serb dhe aktualisht anëtar i Forumit serb për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sreçko Gjukiq, ka deklaruar se kthesa e paralajmëruar në politikën e jashtme të Serbisë, e shpallur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, mund të paraqet ndarje përfundimtare me politikën, qëllimi i proklamuar i së cilës ishte anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Gjukiq ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se deklaratat e Vuçiqit për ndryshimin e politikës së jashtme janë të nxituara dhe emocionale, të cilat nuk jepen pa analiza të thella.

banner

“Çështja është nëse dhe çfarë do të arrijë Serbia duke ndryshuar politikën e saj të jashtme siç e ka paralajmëruar Vuçiqi, dhe nëse Azerbajxhani, Gjeorgjia apo Hungaria mund të jenë mbështetja jonë në politikën e jashtme. Kthesa e paralajmëruar në politikën e jashtme mund të paraqet ndarje përfundimtare me politikën e proklamuar të Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kalimin në prehrin e Rusisë”, ka thënë Gjukiq, transmeton Paparaci.

Deklaratat e Vuçiqit, ka shtuar ish-ambasadori, tregojnë se “ëndrrës së mjegullt” për hyrjen e Serbisë në BE i ka ardhur fundi.

“Kjo qeveri ka vite që na mashtron për rrugën evropiane të Serbisë. Tashmë duket se i ka ardhur fundi politikës së uljes në dy karrige, nuk do të jemi më në BE, por do të ulemi vetëm në karrigen ruso-kineze”, ka thënë Gjukiq.

I pyetur nëse një politikë e tillë do ta lirojë Serbinë nga detyrimet e nënshkruara dhe pranuara për Kosovën në Bruksel dhe Ohër, Gjukiq ka thënë se me siguri se nuk do ta lirojë.

“Serbia sigurisht që nuk do të lirohet nga obligimet e nënshkruara dhe të pranuara për Kosovën në Bruksel dhe Ohër, por mos përmbushja e këtyre detyrimeve mund të rezultojë me sanksione, nga futja e vizave të BE-së deri te ndalja e derdhjeve financiare, ndalimi dhe tërheqja e investimeve dhe kufizimi i tregtisë”, ka thënë Gjukiq dhe ka theksuar se sipas informatave që ai i ka, sanksionet tashmë po “zvarriten” kah Serbia, përcjell Paparaci.

Ai ka shtuar se me politikën e jashtme të autoriteteve serbe për të cilën ata mburreshin duke menduar se mund ta mashtrojnë gjithë botën, Kosova përfundimisht është humbur.

“Pushteti serb është zotuar që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare dhe se marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit do të realizohen pa kurrfarë kushtëzimi. Serbia madje mori përsipër hapjen e një misioni diplomatik në Prishtinë. Është një fiasko absolute e politikës serbe, si në nivelin e jashtëm ashtu edhe në atë të brendshëm”, ka theksuar Gjukiq.

I pyetur se si e vlerëson qëndrimin e Perëndimit ndaj autoriteteve në Serbi në dhjetë vjetët e fundit, Gjukiq tha se fiaskoja e politikës serbe në nivelin e jashtëm dhe të brendshëm është rezultat i “soft” politikës (së butë) perëndimore ndaj Aleksandar Vuçiqit.

“Ky është rezultat i politikës së butë që Perëndimi ka ndjekur ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe që nga ardhja e tyre në pushtet në Serbi e deri më sot. Rezultati i kësaj politike është njohja përfundimtare e pavarësisë së Kosovës dhe hyrja e saj në organizatat ndërkombëtare”, ka përfunduar Gjukiq.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy