Mbledhja e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ku po diskutohej për raportin e UNMIK-ut mbi situatën në Kosovë përveç debatit të ashpër midis kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla dhe homologut të saj serb, Ivica Daçiq u pasua edhe me përplasje ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë për çështje që kishin të bëjnë me Kosovën.
Një përplasje direkte midis të dy fuqive të mëdha botërore u bë për gjuhën shqipe. Ishte ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ajo që u ankua se Këshilli i Sigurimit, i udhëhequr nga Rusia nuk i lejoi asaj të flasë në gjuhën shqipe, siç ia lejoi homologut të saj serb, Daçiqit të flasë në gjuhën serbe
“Daçiq foli në gjuhën e popullit të vet dhe jo në gjuhën angleze edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, që është gjuha e popullit shumicë në Kosovë, por më është mohuar kjo e drejtë, andaj po vazhdoj në anglisht.”, tha Gërvalla.
Kjo ankesë e Gërvallës u mbështet edhe nga përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Ferit Hoxha i cili e cilësoi “qesharake” që të insistohet për një të drejtë, duke i thënë përfaqësuesit të Rusisë se nuk ishte i paanshëm në gjykimin e tij, duke ia cituar rregullin 44 të Kombeve të Bashkuara.
“Nuk ishim të lumtur dhe nuk mendojmë se presidenca ishte e paanshme edhe pse shkon kundër rregullit dhe frymës së OKB-së. Në vitet e tjera ka pasur raste kur gjuhë tjetër është përdorur në këtë këshill. Tani a mund të themi se sa herë duhet të insistojmë, është qesharake. E falënderojmë përfaqësuesen e Kosovës që s’e vendosi Këshillin në një pozitë të palakmueshme. Përshëndesim praninë e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla dhe poashtu të Daçiq.”, tha ai.
Kjo u pasua me përplasje edhe në mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesi i Rusisë i tha atij të Shqipërisë dhe Gërvallës se rregulli 44 nuk vlen për Kosovën, por çështja duhet të trajtohet sipas rregullit 39 dhe se Gërvalla ka vendosur vet të flasë në gjuhën angleze.
“Çështjen e përdorimit të paanshmërisë, dua të qartësoj këtë çështje. Anëtari i Këshillit iu drejtua presidentit, dy anëtarë të Këshillit, me kërkesë për t’i lejuar zonjës Gërvalla të flasë në Shqip, përfaqësuesi i Shqipërisë u thirr në rregullin 44, përfaqësuesi mund të bëjë fjalim në gjuhë tjetër, jashta gjuhëve të këshillit të sigurimit, në atë rast do të ofrojë vet përkthim në njërën nga gjuhët e këshillit. Zonja Gërvalla Schwarz nuk i takon kategorisë së përfaqësuesit, ajo flet për rregullin 39, 99% të mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë për të cilët ka qenë përkatës rregulli 39 dhe kjo nuk ka të bëjë me diskriminim të gjuhës shqipe, unë i jam referuar rasteve paraprake ku ka pasur prezantime ne gjuhë të tjera, ato prezantime janë bërë për prezantues që nuk kanë folur asnjë nga gjuhët e Këshillit. Asaj do t’i ishte dhënë mundësia për të folur në gjuhën shqipe dhe ajo e njeh gjuhën angleze fare mirë dhe ne nuk e kemi kundërshtuar siç pretendon përfaqësuesi i shtetit shqiptar dhe kërkesa dhe rezultati i konsultimit të realizuar, pra vendimi i Gërvallës, ka qenë që t’i drejtohet në gjuhën angleze, pas konsultimit, anëtari i Këshillit ka theksuar se nëse kërkesa për të folur në gjuhën shqipe i ka ardhur sekretariatit para komunikatës, atëherë kërkesa paraprake duhet të mos merret parasysh. Zonja Gërvalla kishte vendosur të flasë në gjuhën angleze.”, tha presidenti rus.
I menjëhershëm ishte reagimi i përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që tha se Shqipëria kishte të drejtë në adresimin e shqetësimit të saj lidhur me këtë çështje.
“Lidhur me çështjen e gjuhës, dua të theksoj zyrtarisht se kjo çështja e gjuhës është ngritur nga ministrja e jashtme e Kosovës dhe përfaqësuesi i Shqipërisë të ofrojë shpjegim të saktë. Falënderoj presidencën për shpjegim të mëtutjeshëm, por mendoj se shpjegimi i ofruar nga përfaqësuesi i Shqipërisë qëndron.”, tha ai.
Presidenti rus i KS të OKB-së iu përgjigj me ironi kur tha se “e dijmë qëndrimin e SHBA-ve në bazë të asaj se si janë zhvilluar ngjarjet”.
Një përplasje më diplomatike e më tërthorazi ndodhi për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ku edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Rusia kërkuan që kjo të ndodh, por me një dallim substancial të theksuar.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke përshëndetur marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër tha se është e rëndësishme të vazhdohet puna në këtë drejtim, në funksion të zbatimit të obligimeve të dala nga këto dy takime, duke nënvizuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.
“Shpreh lëvdata për Kosovën dhe Serbinë për marrjen e hapave përpara me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme në Bruksel e Ohër. Ftojmë shtetet të lëvizin me shpejtësi në zbatimin e tyre dhe të shmangin krizat që mund të pengojnë progresin. Shpresojmë të shohim më shumë nga kjo frymë e re në takimin mes liderëve në Bruksel më 2 maj, pjesë e rëndësishme e këtij takimi do të jetë hapat e mëtutjeshëm të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.”, tha ai.
Krejt ndryshe me këtë ishte kërkesa e Rusisë. Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Rusisë tha se Asociacioni duhet të formohet, por se ai nuk duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se duhet të ketë kompetenca ekzekutive.
“Sot zonja Gërvalla foli për ditën e përvjetorit, 19 prillit dhe marrëveshjet kryesore të kësaj janë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe por autoritetet kanë refuzuar ta implementojnë. Ka probleme sepse Prishtina nuk është e interesuar në normalizimin e marrëdhënieve dhe as në zbatimin e obligimeve të veta dhe për këtë arsye Albin Kurti insiston që pa arsye ASK duhet të themelohet sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet të jetë shumetnik dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive. Kjo trajektore duhet të refuzohet. Vetëm një komunitet i ri do të lejonte të drejta dhe siguri për serbët dhe ky do të jetë zhvillim ekonomik dhe identitet kulturor.”, tha ai.
Kjo diskrepancë midis pikëpamjeve nuk u shndërrua në debat të drejtpërdrejt midis Rusisë dhe SHBA-ve por nënvizoi qartazi pikëpamjet e dy shteteve mbi çështjet e pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë.