Babai i një prej mijëra personave të zhdukur në Kosovë shprehet “jashtëzakonisht i zhgënjyer” me punën e institucioneve për zbardhjen e fatit të tyre.
Bajram Qerkini, i cili është kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”, është shprehur i prekur nga mënyra si po shënohet Dita e të Zhdukurve të enjten. Në mes të sheshit të Prishtinës ai ka thënë se sot nuk shihet asnjë pankartë treguese për këtë ditë, e asnjë organizim tjetër.
“Ka nisë me u zbehë në shtetin tonë çështja e personave të pagjetur”, ka thënë ai.
Qerkini ka thënë se çështja e të zhdukurve dhunshëm gjatë luftës duhet të jetë prioritet në çdo diskutim, ndërkohë përmendi traumat që kanë nënat të cilat presin fëmijët e tyre.
“Po i kërkojmë edhe 132 fëmijë të pagjetur. Në Republikën e Kosovës ka shumë nëna që as nuk flenë, sikur që nuk fle as gruaja jem. Ajo natën bërtet ‘erdh djali’. More flej çfarë djali, ‘o pasha Zotin shkallëve po i nij’. Të gjitha ato nëna e kanë të njëjtën dhimbje. Në vend se të bëhet një memorial në Batajnicë, atje po bëhen manovra. Nuk punohet sa duhet. Mos na harroni ne familjarëve. Të flasim çka do të flasin më 2 maj”, ka theksuar Qerkini