Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski me rastin e 1 Majit – Ditës së Punëtorëve u drejtua me mesazh për qytetarët.
“Me 1 Maj – Ditën e Punës, të kujtojmë dhe të falënderojmë të gjithë ata që kontribuan për një trajtim më të drejtë të punëtorëve. Gjithashtu u jemi mirënjohës të gjithë atyre që ende po luftojnë për të siguruar kushte të mira pune, paga adekuate dhe sigurim social, duke ndërtuar një shoqëri ku puna e ndershme do të vlerësohet me dinjitet dhe të drejtat e punëtorëve do të mbrohen plotësisht”, thotë Pendarovski.
Zhvillimi dhe përparimi i Maqedonisë së Veriut, si dhe parakusht që të rinjtë të qëndrojnë në vendlindje, në masë të madhe, shkruan Pendarovski, varet nga kushtet e punës dhe standardet moderne të punëtorëve.
Prandaj, siç thotë ai, duhet të rishikojmë vazhdimisht të drejtat e punëtorëve, të parandalojmë shfrytëzimin e tyre, të mendojmë se si t’i përmirësojmë për të sjellë prosperitet më të madh.
Pendarovski shton se detyra jonë është që punëtorët të kenë edukimin dhe trajnimin e nevojshëm, të kenë trajtim të drejtë nga punëdhënësit, të heqim barrierat për pjesëmarrje të plotë në vendin e punës për qytetarët me aftësi të kufizuara.
“Të përkushtohemi për të ofruar mundësi për të gjithë, sepse çdo punëtor meriton respekt dhe ka të drejtë për një jetë dinjitoze”, thekson kreu i shtetit në mesazh.