Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka akuzuar pasuesin e tij, Albin Kurti, se është politikan që “shkel mbi çdo gjë për ta ruajtur pushtetin”.
Në një shkrim në Facebook, Hoti ka komentuar takimin e sotëm që pritet të mbahet në Bruksel në mes të Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Deklarata për të pagjeturit dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë dy kryetemat në këtë takim.
“Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e ‘Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’, ndoshta do i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktual. Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”, ka shkruar Hoti.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se dyshon që “ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria”.