Qeveria e Kosovës e ka përkrahur vendimin e asamblistëve të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për rihapjen e Urës së Ibrit.
Lajçak ka thënë se për një gjë të tillë nuk është koha, ndërsa KFOR-i ka deklaruar që rihapja e Urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.
Për hapjen e urës që është e mbyllur për qarkullim tash e shumë vite, ka folur edhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.
Ai deklaroi se ky hap është i stërvonuar duke thënë se qëndrimi i tij është që ura “është dashur të hapet shumë më herët”.
Me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, të premten Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka marrë vendim që të hapet ura që ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë.
Ky vendim është përkrahur nga kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, i cili tha se kjo është çështje e stërvonuar.
Hamza tha se lëvizja e lirë e qytetarëve është e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet tjera në fuqi. Ai shtoi se faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë duhet “të veprojnë” që ura të jetë e hapur.
I pari i Mitrovicës së Jugut deklaroi se “qe 23-24 vjet Ura e Ibrit është një prej simboleve dhe objekteve që paraqet vrazhdësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë”.
“Kjo është çështje e rregulluar me kushtetutë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës garantohet lëvizja e lirë e gjithë qytetarëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe me të gjitha ligjet tjera pozitive në fuqi. Çështja e urës është e vonuar, e stërvonuar dhe ka ndikuar në lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy pjesët e qytetit, edhe në pjesën veriore dhe në pjesën jugore. Është imazh i keq për të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë çështje. Normalisht që qëndrimi im është që kjo jo që duhet të hapet, por është dashur të hapet shumë më herët. Dhe të gjithë faktorët përgjegjës dhe relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar dhe KFOR-in, duhet të veprojnë që ura të jetë e hapur, të jetë e lirë, jo veç për këmbësorë por edhe për automjete dhe për gjithçka çka është e dedikuar. Përndryshe që 23-24 vjet kjo është një prej simboleve dhe prej objekteve që realisht e paraqet vrazhdësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë Evropën”, tha Hamza për Express.