Deputeti tashmë i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, komentoi sonte vendimin për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke hedhur kritika ndaj partisë në pushtet për mungesë të hapësirës apo debatit demokratik, Abazi tha se vendimi për përjashtimin e tij nga LVV-ja apo prej pozitës së kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, “nuk përcaktohet se nga cila instancë partiake apo institucionale është marrë”.
Megjithatë, ai shprehet se nuk është i surprizuar për një vendim të tillë. Ai shprehet se ka derivuar dhe devalvuar komplet debati demokratik brenda LVV-së.
Abazi foli edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas zhvillimeve të fundit në Bruksel dhe duke parë situatën në veri, ai thotë se shefi i qeverisë po e mendon çdo ditë se si do të vijë deri te zgjedhjet e reja parlamentare.
“Unë mendoj që aq sa e njoh zotin Kurti, kryeministrin. Ai është duke e menduar për çdo ditë se si do të vijë deri te zgjedhjet e reja. Natyrisht që viktimizimi ka sjell në të kaluarën rezultate, sigurisht që ka tentuar që edhe unë të jem një prej atyre që para qytetarëve të bëhem adresa e rrëzimit të Qeverisë”, tha ai të mërkurën mbrëma në Tëvë1.
“Nuk do e bëjë një gjë të tillë asnjëherë, sepse nuk e mendoj që kjo është çështje e një deputeti, por është kthim tek sinqeriteti politik”.