Ministri serb i jashtëm Ivica Daçiq ka thënë se takimi në Bruksel “vetëm se ka konfirmuar frikën e Beogradit që kryeministri i Kosovës nuk do ta formojë Asociacionin”.
Daçiq ka deklaruar se takimi i djeshëm i është kushtuar dy pikave që janë përcaktuar si prioritete sipas planit implementues, Deklaratës për personat e pagjetur dhe formimit të Asociacionit.
“Për atë deklaratë u pajtuam disi. Është në interesin tonë që ajo të kalojë sa më shpejt, pa i keqpërdorur termat, sepse Prishtina bën gjithçka të llogaritur. Më shumë se 1500 persona figurojnë si të zhdukur dhe është në interesin tonë që Prishtina të jetë bashkëpunuese sepse nuk lejojnë që të kontrollohen lokacione të caktuara. Mendoj se kjo deklaratë duhet të jetë hapi i parë drejt përmbushjes pa kushte të kërkesave të tilla, për të zbuluar të vërtetën e plotë”, ka thënë Daçiq, transmeton Paparaci.
Ai ka thënë se shpreson që do të ishte një renditje krejtësisht logjike, që Komisioni për Persona të Zhdukur të Serbisë të ketë qasje të lirë në Kosovë
“Tema e dytë, Asociacioni, mendoj se këto ditë do t’i kalojmë duke dëgjuar të njëjtat tregime që i dëgjojmë tashmë dhjetë vjet. Kam marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, kur të gjithë anëtarët folën me entuziazëm për këtë akt dhe se plani ishte formimi i Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe asgjë. Borrell ka thënë se Asociacioni duhet të formohet menjëherë. Çfarë do të thotë menjëherë, a bëhet fjalë për një muaj apo dhjetë vjet”, ka pretenduar Daçiq.
Daçiq thotë se për Serbinë ky është kushti numër një.
“Edhe në planin e zbatimit është një nga dy çështjet. Ne besojmë se fillimisht duhet të formohet Asociacioni dhe më pas të flasim për hapat e mëtejshëm. Ata e kontestojnë ekipin drejtues, tani do të ketë një relativizim të rëndësisë, nga emrat, kompetencat, deri te statuti, kush e shkruan statutin, kush e përbën ekipin drejtues. Prishtina, gjegjësisht Kurti nuk e do Asociacionin. Ne kemi thanë se ai është një fushë e minuar për të gjithë procesin e paqes dhe do të shohim se si do të zhvillohet”, ka thënë Daçiq./