Reuters raporton se rusia akuzoi Ukrainën të mërkurën se sulmoi Kremlinin me dronë gjatë natës në një përpjekje për të vrarë presidentin Vladimir Putin – kjo është akuza më serioze që Moska i ka ngritur Kievit në më shumë se 14 muaj luftë.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy menjëherë mohoi çdo përfshirje ukrainase, duke thënë në një konferencë shtypi në Helsinki: “Ne nuk sulmojmë Putinin ose Moskën, ne luftojmë në territorin tonë”.
Lidhur me këtë ngjarje është deklaruar edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i cili ka thënë se Uashingtoni nuk kishte qenë në gjendje të vërtetonte sulmin e raportuar dhe se pohimet ruse duhet të merren me rezervë.
Presidenca Ruse ka thënë se: “Dy mjete ajrore pa ekuipazh u vunë në drejtim të Kremlinit. Si rezultat i veprimeve në kohë të ndërmarra nga ushtria dhe shërbimet speciale me përdorimin e sistemeve të luftës së radarit, pajisjet sulmuese u vunë jashtë funksionit”.
“Ne i konsiderojmë këto veprime si një akt të planifikuar terrorist dhe një tentativë për të marrë jetën e presidentit në prag të Ditës së Fitores, Paradës së 9 Majit, në të cilën është planifikuar edhe prania e mysafirëve të huaj”. Ndër të tjera është deklaruar se “Pala ruse rezervon të drejtën për të marrë masa hakmarrëse ku dhe kur e sheh të arsyeshme”.
Por një ekspert britanik për Rusinë, Mark Galeotti, tha se nuk ka gjasa që sulmi i supozuar të ketë pasur në shënjestër Putinin, i cili “rrallë shkon në Kremlin, e lëre më të qëndrojë atje brenda natës”.
Agjencia e lajmeve RIA tha se Putin nuk kishte qenë në Kremlin në atë kohë dhe po punonte të mërkurën në rezidencën e tij Novo Ogaryovo jashtë Moskës.
Dita e Fitores është një festë e madhe publike që përkujton humbjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe një shans për Putinin që të mbledhë rusët pas asaj që ai e quan “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë. Rusia e shënon këtë ngjarje të rëndësishme me një paradë të madhe ushtarake në Sheshin e Kuq, për të cilën tashmë janë ngritur ndenjëse.
Përpara se të shpallej sulmi me dron, rreth 10 orë pas ngjarjes, kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin tha se qyteti kishte vendosur një ndalim të menjëhershëm për fluturimet e paautorizuara me dron.
Rusia ka akuzuar Ukrainën për sulme të shumta ndërkufitare që nga fillimi i luftës, duke përfshirë sulmet në dhjetor në një bazë ajrore thellë brenda territorit rus, ku strehohen aeroplanë bombardues strategjikë të pajisur për të mbajtur armë bërthamore. Në shkurt, një dron u rrëzua në Kolomna, rreth 110 km (70 milje) nga qendra e Moskës.
Ukraina zakonisht refuzon të marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Rusisë ose Krimesë së aneksuar nga Rusia, megjithëse zyrtarët e Kievit kanë festuar shpesh sulme të tilla me komente tallëse.