Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se çështja e Kosovës është “rrezik i madh që na qëndron mbi ne” dhe sipas tij, “pa fajin e Serbisë”.
“E gjitha ishte një lojë dhe një qëllim për ta ‘mashtruar’ Serbinë për ta njohur Kosovën, ‘de fakto’ ose ‘de jure’. Prandaj dje në fillim të mbledhjes u tentua të krijohej një lloj plani i ri zbatimi, pika 1 e të cilit do të ishte dëgjimi ose prezantimi i draft Statutit nga Grupi Drejtues, pika 2 që ne i lëmë [të anëtarësohen] në organizatat ndërkombëtare dhe pika 3 përmbushja e Asociacionit”, tha ai.
Siç theksoi ai, natyrisht se ka refuzuar, “sepse bie ndesh me gjithçka që është diskutuar dhe nuk është as e shkruar dhe as e mundur”.
“Kur e kuptuan se nuk mund të kalonte, atëherë u përpoqën ta zgjidhin situatën në veri në mënyrë racionale, ku po afron një krizë e madhe, sepse [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti vërtet mendon se sundon me 3-4 për qind të votave e disa nga [vendet) QUINT-i e përkrahin, sepse mendojnë se do ta thyejnë rezistencën e serbëve”
Qëllimi, tha ai, është dëbimi i serbëve nga Kosova.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian, pra kryediplomati evropian, Josep Borrell, “ka pasur një marrëdhënie më korrekte”, por ka shtuar se “ka frikë se në momentin e bisedës së radhës do t’ia ndryshojnë mendjen”.