Table of Contents
Fronti Demokratik pro-rus, i cili ka pushtet absolut në Zetë, komuna më e re në Mal të Zi, mori vendim për miratimin e një Deklarate, me të cilën, siç thanë ata, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor.
Komuna e Zetës, e cila ndodhet në rrethinën e pabanuar të kryeqytetit malazez, Podgoricë, do ta shprehë mendimin e saj për këtë dokument në seancën e fundit të majit.
Pavarësia e Kosovës u njoh nga Qeveria e Malit të Zi në vitin 2008, kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviqit, e cila në gusht 2020 humbi zgjedhjet nga Fronti Demokratik pro-serb dhe prorus, Demokratët dhe Lëvizja URA.
Së fundmi, Gjukanoviq ka pësuar disfatë edhe në zgjedhjet presidenciale dhe zyrtarisht më 24 maj duhet t’ia dorëzojë atë post presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviq, i cili deklaroi se nuk do të ketë tërheqje të njohjeve të Kosovës
Çfarë thotë Qeveria?
Deklarata për anulimin e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ketë efekt juridik dhe as nuk mund të jetë akt ligjërisht obligues, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria e Malit të Zi.
Këshilltari për çështje juridike në Kryeministri, Ivo Shoq, miratimin e një Deklarate të tillë e sheh si akt politik për të cilin Qeveria nuk duhet të deklarohet.
“Miratimi i një akti të tillë ndoshta synon të dërgojë një mesazh politik, më shumë se sa mund të prodhojë ndonjë efekt juridik në territorin e komunës që do të miratonte një akt të tillë. Unë e shoh këtë si një lloj revolte të mundshme ndaj ngjarjeve të fundit lidhur me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë ai për REL-in.
Shoq, po ashtu, thekson dimensionin juridik të miratimit të shpallur të Deklaratës.
“Nga pikëpamja e ligjit, edhe në rast të deklarimeve të tilla, komunat do të dilnin jashtë juridiksionit të tyre dhe mbetet e paqartë se si do të mund të zbatoheshin. Ne ende nuk e dimë se cila do të ishte përmbajtja e një akti të tillë dhe nëse në varësi të kësaj, ai mund të jetë objekt i procedurës para Gjykatës Administrative ose Kushtetuese”, shpjegon ai.
Por, edhe Fronti Demokratik është i vetëdijshëm se deklarata e një komune nuk mund të ketë efekt juridik, por duan, siç thonë ata, të dërgojnë një mesazh politik.
Fronti Demokratik u bën thirrje bashkive të tjera të bëjnë një “gjest simbolik”
Përfaqësuesi i këtij grupi politik, Milun Zogoviq, ka thënë se miratimi i Deklaratës për anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës në Komunën e Zetës është logjike, sepse paraqet reagim ndaj mbështetjes së diplomacisë malazeze që Kosova të bëhet një anëtare e Këshillit të Evropës.
“Edhe pse është një vendim simbolik, ai është i justifikuar sepse do të tregojë se çfarë mendon shumica e Malit të Zi për këtë çështje. Është një shprehje e dy të tretave të vullnetit të popullit”, tha Zogoviq. Zyrtarët e Frontit Demokratik u bënë thirrje bashkive të tjera ku qeveria përbëhet nga anëtarë të shumicës aktuale parlamentare që të miratojnë Deklarata të tilla:
“Dhe, kështu të fillojë procesi i kthimit të Malit të Zi në burimet e tij historike, shpirtërore dhe shtetformuese”, thuhet në një nga njoftimet e FSH.
Si erdhi deri këtu?
Mali i Zi më 24 prill votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka reaguan ashpër një pjesë e partive pro-serbe në pushtet, duke e gjykuar një politikë të tillë “të turpshme për Beogradin zyrtar”. Me këtë rast, të mërkurën, më 3 maj, Kuvendi mbajti seancën kontrolluese të kryeministrit Dritan Abazoviq, i cili është edhe koordinator i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Me atë rast, Abazoviq ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është në interes të stabilitetit rajonal.
“Asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e jashtme të Malit të Zi, ne kemi ndjekur një politikë të përgjegjshme dhe konsekuente dhe jemi sjellë si të gjitha vendet e tjera që e kanë njohur Kosovën”, shpjegoi Abazoviq gjatë seancës.
A mund të revokohet njohja?
“Sigurisht që një qeveri e përgjegjshme duhet të reagojë për këtë, sepse nuk përjashtohet që komunat tjera të miratojnë një deklaratë të ngjashme”, thotë profesori i së drejtës ndërkombëtare, Nebojsha Vuçiniq, në një deklaratë për REL-in.
“…njohja e shtetit është e parevokueshme dhe prapavepruese.
Ai thekson se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës është i parevokueshëm dhe se asnjë vendim i mëvonshëm për të njëjtën çështje nuk mund ta kundërshtojë atë.
“As Zeta dhe asnjë qeveri në botë, nëse e anulon vendimin për njohjen e Kosovës, nuk ka efekt, sepse njohja e shtetit është e parevokueshme dhe prapavepruese. Revokimi nuk ka asnjë rëndësi juridike, mund të ketë vetëm një rëndësi populiste ”, shpjegon Vuçiniq.
Profesor Vuçiniq thotë se në rastin e “çnjohjes së Kosovës” nga Zeta, dhe potencialisht nga komunat e tjera, po përdoret një mjet për të përmbushur një qëllim të qartë politik:
“I gjithë sistemi juridik dhe politik është në funksion të realizimit të asaj që në mënyrë pezhorative quhet ‘bota serbe’. Gjithçka i nënshtrohet asaj. Lejohen të gjitha mjetet për të arritur qëllimin. Një nga mjetet është revokimi i njohjes së Kosovës”, thotë ai.
Cilat janë reagimet e opozitës?
Zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate të opozitës, Mirko Staniq, beson se me këtë iniciativë, DF-ja po tenton të rifitojë pozitën e dobësuar para zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.
“Ky është mesazhi – se nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh nga Fronti Demokratik para formimit të Qeverisë, në të cilat thuhet se nuk do të ndryshojnë detyrimet ndërkombëtare dhe angazhimi i politikës së jashtme të Malit të Zi, është vetëm një mashtrim”, thotë Staniq.
Përkatësisht, shumica parlamentare, përfshirë edhe Frontin Demokratik, u angazhuan pas fitores në vitin 2020 që të mos e ndryshojnë kursin e politikës së jashtme të vendit, ku përfshihet edhe njohja e Kosovës.
Staniq thotë se ekziston mundësia që Zeta së shpejti të revokojë vendimin për anulimin e njohjes së Kosovës.
“Çfarë do të bëjë Fronti Demokratik kur Serbia ta njohë Kosovën pas disa muajsh? A do të shfuqizohet edhe ai vendim ‘në territorin e komunës së Zetës’”, shprehet Staniq.
Çfarë duhet të dini për Zetën?
Zeta është komuna më e re në Mal të Zi, e formuar më pak se një vit më parë. Në zgjedhjet e para të mbajtura në tetor të vitit të kaluar, partitë që përbëjnë Frontin Demokratik fituan mbi gjysmën e shumicës.
Kryesia e Frontit Demokratik u bëri thirrje bashkive të tjera ku janë shumicë, që ta bëjnë të njëjtën deklaratë. Fronti Demokratik me partnerët e tij Demokratët dhe Lëvizja URA kontrollon qeverisjen lokale në 13 nga 25 komunat në Mal të Zi.
Çfarë duhet të dini për Frontin Demokratik?
Fronti Demokratik, i cili është pjesa më e madhe e shumicës parlamentare, është një aleancë politike, qëllimet kryesore të politikës së jashtme të së cilës janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë, dalja e Malit të Zi nga aleanca e NATO-s dhe anulimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës. Për Kosovën pretendojnë se është territor i pushtuar serb dhe e quajnë atë vend kuazi-shtet.
Ndonëse më parë kishte paralajmëruar se do të ngrinte synimet e politikës së jashtme, Fronti Demokratik i riaktivizoi këto kërkesa me iniciativën për të anuluar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Qeveria e Malit të Zi nuk e vuri në dyshim pavarësinë e Kosovës.
Fronti Demokratik përndryshe është i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Partinë e tij Progresive Serbe
Pasi Mali i Zi mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Fronti Demokratik, së bashku me Deklaratën në Zetë, propozoi që në kishat dhe manastiret e Kosovës të fillojë një fushatë për mbledhjen e nënshkrimeve për tërheqjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kisha serbe nuk iu përgjigj këtij propozimi. /REL