Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të ishte në gjendje t’i jepte fund luftës brenda një dite nëse zgjidhet përsëri në Shtëpinë e Bardhë.
Në një intervistë me Nigel Farage në GB News, Trump tha se për ndalimin e luftës do t’i duheshin vetëm 24 orë.
“Do ta përfundoja shumë shpejt. Do të ishte e lehtë”, pohoi ai, raporton skynews.
Duke e quajtur luftën një “katastrofë” që “duhet të ndalet”, ai shtoi se “ajo marrëveshje do të ishte e lehtë. Shumëçka ka të bëjë me paratë”.
Trump, i cili më parë është mburrur për marrëdhëniet e ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, thotë se dyshja “kaluan mirë mes veti”.
Ish-presidenti tha se Putin “nuk do të kishte hyrë kurrë në Ukrainë” po të ishte e “aftë” administrata e Joe Bidenit.
“Putini nuk do të hynte, nuk e përmend kurrë dhe unë e njoh shumë mirë”, shtoi ai.