Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se “një krizë e madhe pritet në veri të Kosovës”, pas zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat në veri të vendit. Kjo pasi siç ka thënë ai, në takimin e 2 majit në Bruksel, Kosovës iu kërkua që të djegë mandatet e kryetarëve të sapozgjedhur në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe në Zveçan.
“Kurti refuzoi, kishte një propozim për të bërë një zgjidhje të përkohshme në të cilën ata nuk do të merrnin zyrat e tyre më 28 maj sepse sigurisht që do të sjellë trazira dhe probleme, mendova se ishte një mundësi ideale që Kurti të dilte nga turpi i madh në të cilin e ka futur veten, pastaj kuptova se ishte në të vërtetë një plan, që ai edhe pse thotë se nuk është entuziast për këtë, ai është thelbësisht entuziast dhe e sheh si mundësinë më të mirë për t’i dëbuar serbët nga veriu i Kosovës”, tha ai.
Në një konferencë para gazetarëve, mbrëmjen e së mërkurës Vuçiq vazhdoi propagandën e tij në dëm të Kosovës, duke thënë se kryeministri Albin Kurti mendon të qeverisë me 3.4 përqind, dhe gjoja “në dëm të serbëve”.
Ai as këtë herë nuk la pa përmendur dhe akuzuar edhe ndërkombëtarët, për të cilët tha se “po e mbështesin kryeministrin e Kosovës në përpjekje për të thyer rezistencën serbe”.
“Kur e kuptuan se kjo nuk mund të kalonte dhe se isha mjaft i vendosur që diçka e tillë ishte thjesht e pamundur, u përpoqën t’i zgjidhnin gjërat në veri në mënyrë racionale, sepse një krizë e madhe po na pret. Domethënë, Kurti me të vërtetë mendon të qeverisë me 3.4% dhe disa prej QUINT-i e përkrahin sepse mendojnë se duhet të përpiqen të thyejnë njëherë e përgjithmonë rezistencën e serbëve duke gjetur mjaft shërbëtorë të tyre, ata që u shërbejnë atyre në sistemin e tyre, pa marrë parasysh se dolën 13 serbë, për të konstatuar, sot të mos flas shumë për politikë, tashmë e dini se cilët i kanë gjetur për Prishtinën, t’i gjejnë të ngjashëm edhe për veriun, dhe kështu sundojnë dhe qeverisin”, tha ai.
Sa i përket takimit të 2 majit në Bruksel, Vuçiq pretendoi se ndërkombëtarët kanë tentuar ta fusin në “kurth”, duke e bërë që ta njohë shtetin e Kosovës.
“Sa i përket Kosovës, siç ju kam thënë pafundësisht, gjithçka ishte një truk dhe synimi ishte që Serbia ta njihte Kosovën de facto ose de jure, prandaj dje në fillim u tentua të krijohej një lloj plani i ri i zbatimit në të cilin si pikë 1 duhet të ishte dëgjimi, përkatësisht prezantimi i projekt statutit të Asociacionit të komunave serbe nga ekipi menaxhues, si pika 2 që ne ti lemë në organizata ndërkombëtare, si pika 3 përmbushja e tyre e Asociacionit të komunave serbe… Sigurisht që e refuzova këtë sepse është e kundërta e gjithçkaje që kemi folur dhe thashë që diçka e tillë nuk është shkruar kundër as ku është e mundur dhe gjithçka është e kundërta në raport me atë që ju ke folur”, ka thënë ai