Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pesimist se do të arrihet një zgjidhje për Asociacionin.
Ai thotë se qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta, andaj nuk pret diçka pa u demokratizuar Serbia.
Sipas Konjufcës ajo çka është e mundshme për Kosovën për themelimin e këtij mekanizimi pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë.
“Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, ka thënë Konjufca për KosovaPress.
Duke vlerësuar shkarkimin e ekipit menaxhues që e ka hartuar draft-statutin e Asociacionit, Konjufca thotë se puna e tyre ka qenë në përputhje me interesat e Serbisë.
“Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan”, shton Konjufca.
Konjufca thekson se kushtëzimi për themelimin e Asociacionit me kthimin e serbëve në institucione nuk mund të zgjidh problemet.
“Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë”, thekson ai.Në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel më 2 maj, është prezantuar draft-statuti i Asociacionit, nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës.
Pas takimit, kryeministri Kurti tha se ky draft-statut është i papranueshëm për Kosovën, derisa bëri të ditur se ka paraqitur një draft-vizion për themelimin e Asociacionit.Në anën tjetër, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ky draft-statut për Asociacionin nuk është final, mirëpo do të jetë një pikënisje për diskutimet e mëtutjshme.