Nagip Krasniqi, kryeshefi i pezulluar i Korpoartës Energjetike të Kosovës gjendet në paraburgim nën dyshimet për se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. Këto vepra penale për të cilat dyshohet ai është raportuar se ndërlidhen me procesin e remontit të Bllokut A5.
Megjithatë ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli ka bërë me dije se ky bllok është kthyer sot në operim. Ajo thotë se këtë dhuartë punonjësit e KEK-ut ia kanë bërë edhe me rastin e ditëlindjes së saj.
“Punonjësit e Kosovës A më dhanë dhuratën më të mirë për ditëlindje: rikthimi i njësisë A5 në operim.Së bashku me menaxhmentin dhe punonjësit festova ditëlindjen dhe rikthimin e njësisë në termocentralin Kosova A. Në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës u shpreha mirënjohjen e pafund për punën me përkushtim për rikthimin e bllokut A5, si dhe për prodhimin me tri njësitë njëkohësisht përkundër sfidave”, ka shkruar ajo.
Avokati i Nagip Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, para dy javësh e ka konfirmuar se klienti i tij po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me kontratën për riparimin e kalldajës së bllokut A5.
“Vepra penale qe ngarkohet Nagip Krasniqi ka të bëje me supozimin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare për përfitim për vete ose dikë tjetër. Dyshimi i bazuar sipas prokurorisë është ekzistimi i kontratës me Kompaninë Zvicerane për riparimin e kaldajës për bllokun A5. Kjo kontratë është shkëputur me datë 20.03.2023 nga vet Nagip Krasniqi. Asnjë pagese nuk ështe bëre. Prokuroria është e njoftuar me ketë detaj. Askush nuk ka përfituar. KEK nuk ka pasuar asgjë. Si rrjedhoje lidhur me ketë çështje nuk mund te ekzistoj vepra penale”, ka shkruar Ibrahimaga në Facebook