Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vazhduar t’i shërbejnë Vuçiqit, duke i fokusuar politikat e tyre në rritjen ekonomike dhe kryesisht duke injoruar joliberalizmin e tij. Administrata Trump dukej veçanërisht favorizuese ndaj Vuçiqit, duke anuar haptazi nga ai në një mosmarrëveshje rajonale tarifore dhe duke detyruar rënien e një qeverie popullore në Kosovë. Serwer dhe një numër i ekspertëve të tjerë të Ballkanit thonë se SHBA-ja dhe BE-ja po humbasin mundësinë për ta shtyrë Vuçiqin në një drejtim më demokratik. “Ne kemi më shumë ndikim në Ballkanin Perëndimor se kudo në botë”, më tha Kurt Bassuener, një studiues që ka shkruar gjerësisht për Ballkanin. “E, megjithatë, ne po ndërtojmë politikën tonë mbi Vuçiqin dhe njerëzit si ai”
Udhëheqësit e bandës, zbulojnë përgjimet e Sky-së, shpesh kënaqeshin me torturat. Gjatë një vrasjeje tjetër disa javë më vonë, Belivuku dhe dora e tij e djathtë u telefonuan në telefonat e tyre në Sky nga Mali i Zi (ku po kryenin tri vrasje të tjera) për të inkurajuar kasapët e tyre në Beograd që të jepnin “102 për qind nga” gjatë torturimit të viktimës së fundit. Transkriptet e Sky-së tregojnë se kërkuan që telefoni t’i afrohej viktimës që ta shanin dhe t’i tregonin se po planifikonin t’ia vrisnin babanë dhe vëllanë e tij dhe “këdo që keni njohur a dashur ndonjëherë”. Më vonë, Belivuku dërgoi përsëri mesazhe, duke i kërkuar një prej vartësve që të përshkruante torturën gjatë dhe “të mos i anashkaloni ato detaje të forta për mua”.
Pas vdekjes së çdo viktime, burrat vazhdonin me avazin e vjetër. Ata përdorën sëpata dhe thika për të prerë trupin në copa të vogla, më pas i futnin në mulli të mishit, duke mbledhur mbetjet në thasë të cilat i hidhnin në Danub. I digjnin çantat, së bashku me të gjitha rrobat dhe sendet e viktimës. Ata shkatërruan gjithashtu materialin e përgjakur prej plastike dhe pastruan mullinjtë e bluarjes së mishit me acid dhe zbardhues. Por ky nuk ishte fundi. Pothuajse në çdo rast, thonë prokurorët, ata u dërgonin mesazhe anëtarëve të familjes së viktimës, shpesh duke u shtirur se ishte ai dhe gjetën mënyra për të nxjerrë para, drogë dhe makina.
“Viktima të pritjeve jorealiste”
Jelena Veliçkoviq më tha se deri në ditën kur mësoi se çfarë i ndodhi burrit të saj – duke parë fotografitë e trupit të tij të copëtuar në një emision televiziv serb – e kishte të vështirë të besonte se Belivuku ishte përgjegjës.
“Atë e kishim si mik”, tha ajo. “E kam takuar shumë herë në stadium. Burri im gjithashtu”. Vite më parë, kur ajo mori fëmijën e saj të parë në stadium për një lojë, ishte Belivuku ai që e uroi. Dhe, sipas zakonit serb, i jepte edhe para për fëmijën – dhuratë prej 50 eurosh. “Ai ishte i mirë atëherë”, tha ajo. “Nuk mund ta imagjinoja kurrë që një djalë që na dha dhurata për fëmijën tonë, dhe se po ky djalë mund të vriste burrin tim”.
Jelena është një grua shtatshkurtër me sy të mëdhenj, të mbyllur, tipare të rrumbullakëta dhe një pamje melankolike. Tatuazhet ia mbulojnë krahët, duke përfshirë njërin që thotë serbisht: “Dhimbja që ndiej sot do të jetë fuqia ime nesër”.
Avokatja e Jelenës, ulur me ne, më tha se ajo besonte se Belivuku dhe njerëzit e tij nuk ishin monstra të lindura. Iu desh Qeverisë që t’i bënte bisha. “Belivuku ishte viktimë e pritjeve jorealiste”, tha ajo. “Ai kishte iluzione madhështie. Ai dhe miqtë e tij u bënë vetë viktima. Dikush i ushqeu me iluzione”.
Bandat, të mbrojtura nga policia e ushtria
Gjatë dy vjetëve që nga arrestimi i bandës së Belivukut, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë vazhdimisht se rasti shënoi një ndarje vendimtare me të kaluarën. “Ne do të pastrojmë institucionet shtetërore nga të gjithë bashkëpunëtorët e tyre”, deklaroi ai në konferencën e parë për shtyp pas arrestimeve. Më pas ai i tha një grupi gazetarësh: “Kjo është e rëndësishme për ne, por edhe për qytetarët e thjeshtë. Pronarët e restoranteve dhe të bareve nuk do të duhej të shqetësoheshin nëse dikush do të vinte dhe do t’i sulmonte dhe më pas të kenë frikë ta raportojnë në polici, sepse nuk e dinë nëse dikush në polici është i lidhur mirë me këta vrasës. Ishte një mesazh i llogaritur për t’iu bërë thirrje serbëve të cilët ishin të shqetësuar nga ajo që dëgjuan për rastin “Belivuk”. Mund të ketë synuar edhe Bashkimin Evropian, i cili nuk do ta pranojë Serbinë në klub derisa të bëhet më serioze për sundimin e ligjit”.
Kishte një sërë arsyesh për të dyshuar në premtimin e presidentit. Ai ka thënë gjëra të ngjashme në të kaluarën, dhe Belivuku shihet gjerësisht në Serbi si i fundit në një seri të gjatë banditësh të dobishëm, po aq të zëvendësueshëm sa Aleksandar Stankoviqi para tij. Arsyeja më e madhe është se autoritetet serbe vazhdojnë të mos e prishin terezinë kur vjen puna te tregtarët dhe bandat e drogës. Një nga shembujt më të bujshëm të kohëve të fundit ishte zbulimi i një ferme marihuane të përhapur rreth 50 kilometra jashtë Beogradit që, sipas prokurorëve, po mbrohej nga oficerët e policisë dhe ushtrisë. Ferma, e krijuar për të prodhuar forma shumë të përqendruara të kanabisit, duket se ka qenë më e madhja në Evropë.
Trazimi i veriut të Kosovës
Dhe marrëdhënia e Vuçiqit me njerëzit e krimit shtrihet përtej Serbisë. Në vitin 2018, një biznesmen kosovar, i cili akuzohet nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së për trafik të gjerë të drogës dhe armëve, u akuzua për vrasjen e një politikani atje. Vuçiqi e mbrojti atë, duke e quajtur “një njeri që mbron popullin serb dhe vatrat e veriut të Kosovës”. Paradoksalisht, ndikimi i Vuçiqit në veri të Kosovës është pjesë e arsyes që Bashkimi Evropian e sheh atë si një partner të vlefshëm. Ai e tregoi atë fuqi në fund të vitit të kaluar gjatë një krize kufitare që për pak kohë kërcënoi të kthehej në konflikt të hapur.
Konfrontimi u nxeh, ndoshta jo rastësisht, gjatë një takimi të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në dhjetor, në të cilin Vuçiqi ripohoi refuzimin e tij për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Serbët etnikë në veri të Kosovës barrikaduan rrugët, duke bllokuar lëvizjet e autoriteteve kosovare. Protestuesit u mblodhën në anën serbe të kufirit, duke përfshirë anëtarë të Patrullës Popullore, organizatës nacionaliste serbe që ka dokumentuar lidhjet me grupin paraushtarak të Rusisë, “Wagner”. Beogradi dërgoi trupat në kufi, duke kërcënuar se do të ndërhynte dhe se do të mbronte serbët e Kosovës. Vuçiqi më pas mbajti një takim me një grup serbësh të Kosovës dhe kriza mori fund. Është e panevojshme të thuhet se përçarjet kufitare rrokën vëmendjen e Bashkimit Evropian. Në mes të marsit, liderët e Serbisë dhe ata të Kosovës ranë dakord paraprakisht për një plan të sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, por Vuçiqi refuzoi të hedhë nënshkrimin në marrëveshje.
Afrimi dhe zhgënjimi i Serwerit me Vuçiqin
Pothuajse një dekadë më parë, studiuesi dhe analisti amerikan, Daniel Serwer, ndihmoi në organizimin e paraqitjes së parë publike të Vuçiqit në Uashington. D.C. Serwer punoi në Ballkan në vitet 1990 dhe ai dinte gjithçka për rrënjët nacionaliste të Vuçiqit. Por ai ishte i zhgënjyer me të dhënat e liderëve të tjerë politikë serbë. Ai më tha se Vuçiqi nuk dha asnjë premtim për Kosovën, por tha se do të afrohej më shumë me Bashkimin Evropian. Serwer e shihte Vuçiçin si inteligjent dhe serioz. Kishte pak shpresa, më tha ai, se Vuçiqi mund të ishte si figura e “Nixonit në Kinë”, i aftë për të sjellë bazën konservatore të partisë së tij në pajtim të plotë me fqinjët e Serbisë.
Serwer më tha se qëndrimi i tij ndaj Vuçiqit ka ndryshuar rrënjësisht. “Vuçiq tani është shumë serioz në lidhje me ‘botën serbe’”, tha ai. Këto shprehje, të spikatura shpesh nga nacionalistët serbë, mishërojnë idenë se Serbia ka të drejtë të dominojë tokat ku jetojnë serbët etnikë, duke përfshirë disa vende fqinje. “Ai kishte mundësinë të lëvizte në drejtimin pro-BE, dhe ai zgjodhi të mos e bënte këtë”. Serwer spekuloi se Vuçiqi ka ardhur në përfundim se zbatimi i reformave për anëtarësim në BE do t’ia dobësonte mbajtjen e pushtetit ose ndoshta edhe do ta çonte në burg. Kjo është çfarë i ndodhi ish-kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader, i cili kryesoi shumicën e përgatitjeve të vendit për anëtarësim për t’u arrestuar dhe burgosur pastaj me akuza korrupsioni (ai mbetet në burg sot). Fati i Sanaderit është kthyer në përrallë paralajmëruese për reformatorët e mundshëm ballkanikë.
Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës me manovrat e Grenellit
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vazhduar t’i shërbejnë Vuçiqit, duke i fokusuar politikat e tyre në rritjen ekonomike dhe kryesisht duke injoruar joliberalizmin e tij. Administrata Trump dukej veçanërisht favorizuese ndaj Vuçiqit, duke anuar haptazi nga ai në një mosmarrëveshje rajonale tarifore dhe duke detyruar rënien e një qeverie popullore në Kosovë. Trump dërgoi të dërguarin e bezdisshëm special në rajon, Richard Grenell, i cili dukej i vendosur për të ndërmjetësuar një “marrëveshje shekullore” Serbi-Kosovë për të përmirësuar perspektivat e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 2020-s. (Kështu nuk ndodhi.)
Serwer dhe një numër i ekspertëve të tjerë të Ballkanit thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po humbasin një mundësi për ta shtyrë Vuçiqin në një drejtim më demokratik. “Ne kemi më shumë ndikim në Ballkanin Perëndimor se kudo në botë”, më tha Kurt Bassuener, një studiues që ka shkruar gjerësisht për Ballkanin. “E, megjithatë, ne po ndërtojmë politikën tonë mbi Vuçiqin dhe njerëzit si ai”. Nëse Vuçiq do ta dinte se rrezikonte të humbiste shumë nga mbështetja e tij financiare dhe diplomatike perëndimore, tha Bassuener, llogaritja e tij mund të ndryshonte për të gjitha fushat, duke përfshirë zakonin e tij për të përkëdhelur kriminelët dhe huliganët. Nocioni se Serbia mund të “balancojë” Perëndimin kundër Rusisë është kryesisht një mirazh, tha Bassuener. Rusia mund të jetë aleati tradicional i Serbisë, por Putini, i cili po përpiqet të rindërtojë ushtrinë e tij të shkatërruar, ka pak substancë për t’iu ofruar serbëve të zakonshëm.
Një pasdite në Beograd kalova një orë duke folur me Boris Tadiqin, i cili shërbeu si president i Serbisë nga viti 2004 deri në vitin 2012, kur humbi nga partia e Vuçiqit. Ai më tha se krimi i organizuar është bërë aq i fuqishëm në Serbi, saqë është e vështirë të dihet se kush i shkrep të shtënat. Gjatë kohës së tij në detyrë, tha ai, ishte i habitur kur zbuloi se bandat kriminale “kishin pajisje dhe teknologji më të mirë se policia jonë”. Kartelet e kokainës ishin bërë aq fitimprurëse sa mund të korruptonin këdo. Tadiqi tha se e kishte luftuar mafinë me njëfarë suksesi. Vuçiqi, tha ai, “ndihmoi vendosjen e kriminelëve në pushtet” me besimin se ai mund t’i kontrollonte ata. Ishte një lojë e rrezikshme.
“Cili do të jetë rezultati përfundimtar i pushtetit tuaj nëse do të shkatërronit themelet e shoqërisë me huliganë dhe kriminelë?” – pyeti ai. Tadiqi hodhi një vështrim të shqetësuar rreth nesh në oborrin e hotelit. “Kush po e drejton këtë vend?” – pyeti ai. “Ndoshta disa shokë të Belivukut janë ulur pranë nesh”. /Koha