Iu sugjerua Tiroli Jugor, Kurti nxori modelin kroat si zgjidhje për serbët – a do t’i bindë SHBA’në dhe BE’në?

by informim

Kryeministri Albin Kurti, pasi hodhi poshtë draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues, në tavolinën e dialogut në takimin e 2 majit në Bruksel paraqiti vizionin e tij për themelimin e Asociacionit. Në mesin e disa modeleve europiane të propozuara, ai zgjodhi që vizionin e tij ta bazojë në modelin kroat për pakicat. Javëve të fundit, nga diplomatë të ndryshëm, Kosovës i është kërkuar ta shqyrtojë edhe modelin e TIrolit Jugor.

Ndërmjetësit europianë dhe amerikanë, në thirrjet e tyre drejtuar Kosovës që të bindet për të themeluar Asociacionin, kërkonin që të përdoret një model europian për të drejtat e pakicave që nuk do të çonte në një Republikë Srpska.

banner

Madje, si për t’ia lehtësuar, emisari I BE’së Miroslav Lajçak ia kishte lënë Kurtit 15 modele europiane për trajtimin e pakicave në Europë

Kurti tashmë është pozicionuar te ai kroat, por a do të jetë i pranueshëm ky për BE’në?

Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borrell, edhe pas takimit në Bruksel ku iu propozua vizioni i kryeministrit të Kosovës për themelimin e Asociacionit, deklaroi se si pikënisje e konsiderojnë draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues.

“Nuk është draft përfundimtar, por është një pikënisje”, tha ai, duke mos dhënë asnjë koment për vizionin e prezantuar nga Kurti.

Emisari amerikan Gabriel Escobar ndërkaq kur është pyetur rreth ofertës së Kurtit ka thënë se ajo është diçka serioze. Të njëjtën e tha edhe për draftin e paraqitur nga Ekipi Menaxhues, i emëruar nga Kosova por që është nën ndikim të Beogradit.

“Mendoj se është serioz (drafti i Kurtit), por edhe ai i prezantuar nga Ekipi Menaxhues është po ashtu serioz”, tha Escobar

Sot në Prishtinë erdhi kryediplomati kroat Gordan Grlic Radman për të dhënë mesazhin që Kosova mund të aplikojë modelin e shtetit të tij për pakicën serbe. Ai madje e theksoi se ky model ishte i pranueshëm për BE-në gjatë anëtarësimit të Kroacisë në Union.

“Kur flasim për modelin të quajtur kroat, është model që është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës. Si model është i suksesshëm dhe si i tillë ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht që ishte i vlerësuar dhe i lidhur me qasjen tonë në BE, ky model ka rezultuar me sukses për ne. Por, për të gjithë ata që dëshirojnë ekzistojnë shumë të tjerë”, tha ai në një konferencë për media.

Një shtytje për të vazhduar me punën rreth Asociacionit Kurtit i erdhi nga Mbretëria e Bashkuar.

Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, duke vënë në pah vizitat e kësaj jave në Prishtinë, tha se tashmë është koha që të bëhet përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të themelohet Asociacioni

“Në këtë javë pati shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, duke përfshirë edhe drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor të Britanisë së Madhe, Victoria Billing. Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka thënë Abbott në Twitter.

Sipas Gazetes Express, e cila ka dërguar pyetje në Bruksel për të sqaruar se a është “modeli kroat” një nga alternativat që i është prezantuar Kurtit nga Lajçak dhe nëse ky opsion është i pranueshëm. Deri në momentin e publikimit zyrtarët atje s’kanë kthyer përgjigje.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, gjatë marsit ka diskutuar për Kosovën gjatë një takimi me homologun e tij serb Ivica Daçiq. Sipas mediave serbe, Schallenberg duke elaboruar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kishte përmendur rastin e Tirolit Jugor.

Shefi i diplomacisë austriake ka thënë se shpreson se do të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin. Ai kishte theksuar se e di se ky është një proces emotiv dhe i vështirë, por kishte përmendur Austrinë si shembull pozitiv.

“Ky është një vend që ka filluar të ekzistojë në vitin 1918, kur shembull një ministër francez, tha ‘Austria është ajo që mbetet’. Është një vend që ka pasur ndryshimet më të mëdha dhe sot jemi një nga vendet më të pasura ku njerëzit janë krenarë për gjithçka që është arritur. Shikoni Tirolin Jugor. Ka shembuj pozitivë dhe Austria është një prej tyre”, ka thënë kreu I diplomacisë së Austrisë.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy