Kryeministri i Kosovës, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka njoftuar se nga Komisioni i Granteve ka ndarë mbi 742 milionë euro për buxhetin komunal.
“Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisë së mëparshme, apo rritje mbi 35%. Ndërkaq, Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit. Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim. Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro. Në atë mbledhje, Komisioni i Granteve miratoi buxhetin me rritje edhe për Grantin e Kryeqytetit me afro 12% krahasuar me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80%. Në fillim të prillit, në një takim, ku ishin të ftuar të gjithë kryetarët e komunave, hapëm thirrjen publike për Komuna për masat e efiçiencës së energjisë për ndërtesat e banimit social, në kuadër të pakos 75 milionëshe për përballje me krizën energjetike. Në maj të vitit të kaluar, nënshkruam “Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”, në kuadër të agjendës sonë të gjelbër”, ka thënë Kurti
Ai deklaroi se dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjen lokale, ndërsa sot po ndodh e kundërta.
“Javën tjetër do të mbajmë takimin e radhës të përbashkët me kryetarët e komunave, të katërtin deri më tani, me qëllim mirëmbajtjen e komunikimit mes nivelin qendror dhe atij lokal dhe për të diskutuar për çështjen me interes për qytetarët… Këto janë dëshmi të forta sepse janë fakte të qarta të mbështetjes dhe gatishmërisë për bashkëunim të afërt të Qeverisë me Komunat. Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë, gabim është edhe tani, bashkëpunimin e kemi përgjegjësi. Qeveria është e të gjithëve, edhe e komunave e komunat janë të qytetarëve jo të partive politike”, tha Kurti