Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk mund të ketë asnjë kompetencë, por mund të ketë rol vetëmenaxhues.
Ai tha në Interaktiv të KTV-së, se Asociacioni mund të ketë vetëm rol konsultativ dhe koordinues, por sipas tij, s’mund të ketë asnjë kompetencë pasi “ato me Kushtetutë janë të rregulluara te kompetencat e komunave”.
“Ka edhe një lloj përplasjeje të një botëkuptimi për t’i dhënë karakter territorial nga Serbia, e qasja e Koosvës është për t’i dhënë të drejta komunitetit serb. Kompetenca konsultative dhe koordinuese. Një asociacion eventual jo që s’mund të ketë kompetenca ekzekutive, por s’duhet të ketë fare kompetenca, por mund të ketë rol. Me Kushtetutë kompetencat e komunave s’mund të barten te trupat e tjerë. Kompetencat e komunave s’mund të pakësohen dhe të ushtrohen kolektivisht, mund të koordinohen në funksion të ushtrimit të kompetencave. Ai s’mund t’i marrë kompetencat në emër të komunave”, deklaroi ai.
Sipas deputetit të partisë në pushtet, për Asociacionin, Kushtetuta e Kosovës as nuk mund e as nuk duhet të ndryshohet, e kjo siç tha Rrustemi, nuk ka qenë as kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare.
“Kushtetuta e Kosovës nuk mund të ndryshohet, s’do të ndryshohet se kjo s’është premisë. S’ka qenë as kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, as s’është në diskurs…Kushtetuta është baza e padiskutueshme. Marrëveshja e Ohrit në rrafshin e parimeve të materialit të parë, në funksion të gjetjes së pikëpërputhjes mes palëve ka pasur një sens, por për një dokument që i referohet Kushtetutës, s’mund të hartohet e imponohet mbi këtë bazë”, shtoi ai.
Rrustemi deklaroi se Kosova e Serbia duhet të diskutojnë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, konkretisht për normalizimin e raporteve. Ai tha se Kosova tash është palë e barabartë në tavolinë dhe marrëveshja është kapërcim i madh në diskursin politik.
“Kosova është palë e barabartë në tavolinë dhe marrëveshja është kapërcim i madh në diskurs. Flasim për respektim të njëra-tjetrës, të integritetit, sovranitetit, që s’mund të flasim për njëra-tjetrën edhe në produkt si material, edhe në qasje e edhe në diskursin. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e vendosur në raport me Serbinë pasi ajo është pala destruktive por edhe të mosrespektimit të marrëveshjeve të dakorduara. S’mund të pajtohem që ka qasje asimetrike në raport me palët në tavolinën e dialogut”, tha ai.
Deputeti i VV-së u shpreh se draftistatuti i punuar nga Ekipi menaxhues për Asociacionin fundamentalisht i papranueshëm, pasi ai tha se i paraqet synimet e Serbisë për një etnitet me kompetenca ekzekutive.
“Për shtetin e Kosovës, drafti është i papranueshëm dhe i padiskutueshëm. Ai s’mund të shërbejë si bazë e dialogut. Qeveria është e gatshme që marrëveshjen e arritur në Ohër ta zbatojë, por të jetë e përmbushur menjëherë dhe e plotë. Për takimin e nesërm (mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak), qëndrimi i Kosovës do të jetë i qartë se jemi për dialog, por se s’mund të diskutojmë mbi bazën e draftit të paraqitur nga Ekipi menaxhues”, tha Rrustemi.