Klubi i basketbollit, Trepça nga Mitrovica ka konfirmuar zyrtarisht ndarjen e rrugëve me trajnerin turk, Engin Gencoglu, me të cilin fituan Kupën e Kosovës.
Mitrovicasit kanë befasuar gjatë ditës së sotme (e mërkurë) duke nderprerë bashkëpunimin me trajnerin Gencoglu, vetëm një ditë para ndeshjes së tretë finale ndaj Pejës.
Ky vendim vlerësohet shumë befasues pasi Trepça zhvillonte lojë të bukura me turkun dhe janë në një finale të barabartë 1-1 me Pejën, pas dy ndeshjeve të zhvilluara.
Klubi mitrovicas nuk ka njoftuar rreth arsyeve që çuan në ndërprerjen e bashkëpunimit, ndërsa ekipin në finalen e “Play-Off” do ta drejtoj legjenda Ilir Selmani.
Postimi pa ndërhyrje i Trepçës
Faleminderit Engin Gençoglu
Klubi i basketbollit Trepça njofton se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Engin Gençoglu.
Skuadrën deri në fund të plejofit e drejton Ilir Selmani, që deri më tani ishte në shtabin teknik.
Klubi e falënderon Gençoglun për kontributin e dhënë në skuadrën tonë. Bashkë kemi fituar Kupën e Kosovës dhe kemi arritur në finale të plejofit.
Të gjithë në klub janë të përkushtuar që skuadra të shfaq më të mirën në ndeshjen e nesërme ndaj Pejës.