Në rastin e njohur si “Toka”, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka marrë vendim me të cilin janë konsideruar të lexuara dëshmitë e dëshmitarëve bashkëpunues Nazim Bllaca dhe Fatmir Prapashtica, si dhe janë konsideruar të lexuara edhe disa dëshmi të dëshmitarëve të tjerë bashkëpunues.
Ky vendim, është marrë në seancën e së enjtes nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, në gjykimin ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, në rastin e njohur si “Toka”.
Në seancën e kaluar, mbrojtja kishte propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Nazim Bllaca dhe Fatmir Prapashtica, ndërsa Prokuroria kishte propozuar që deklaratat e të njëjtëve të konsiderohen të lexuara.
“Gjykata ka pru aktvendim, me të cilin ka aprovuar propozimin e Prokurorisë për leximin e deklaratës së dhënë në mundësi të hetimit të veçantë të dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca, ndërsa rrjedhimisht është refuzuar propozimi i mbrojtësve”, tha gjykatësi Hoti, në këtë seancë.
Po ashtu, me pajtimin e palëve edhe dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues Prapashtica, u konsiderua e lexuar.
Sipas propozimit të prokurorit special Naim Abazi, të lexuara u konsideruan edhe dëshmitë e dëshmitarëve bashkëpunues Zharko Vujoviq, Blazho Vujoviq, Suncica Miliq, Senka Radeviq-Sariq dhe Marina Milanoviq, të cilët dëshmitarë dëshmitë e tyre i kishin dhënë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar juridik
Në anën tjetër, lidhur me deklaratat e këtyre dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit Azem Syla, avokati Besnik Berisha, ka thënë se në parim e kundërshtojnë çdo deklaratë të cilën nuk kanë pasur mundësi që ta kundërshtojnë në asnjë fazë të procedurës penale.
“Çfarë po synon Prokuroria sot është që të marrë deklaratat e dhëna në prezencë të prokurorëve serbë, t’i administrojë si prova të drejtpërdrejta në këtë shqyrtim gjyqësor. Në parim, besoj që kemi për detyrim ta ruajmë standardin e të provuarit dhe kemi për detyrim po ashtu që t’i respektojmë të drejtat e secilit të akuzuar”, ka thënë tutje avokati Berisha.
Ai u shpreh se me dëshirën me të madhe, do të donte që përballë ta kishte dëshmitarin Nazim Bllaca.
“Ne vetëm duam të lëmë gjurmë se me dëshirën me të madhe do të doja unë personalisht ta kisha përballë dëshmitarin bashkëpunues Nazim Bllaca”, tha avokati Berisha
Pasi që sipas tij, pas aventurave që i njëjti i ka bërë për shfajësimin e tij, në opinion kanë dalë prova që atë e implikojnë direkt në konsulta dhe urdhra nga prokurori i krimeve të luftës në Serbi.
“Dhe në veçanti, duke lakuar emrin e Azem Sylës, jo nga Nazimi, por nga prokurori i krimeve të luftës siç i referohen ata në Serbi”, ka avokati Berisha.
Gjithashtu, në këtë seancë u lexuan edhe deklaratat e dëshmitarëve Faton Majanci dhe Shkëlqim Latifaj, ndërsa prokurori Abazi hoqi dorë nga dëgjimi i dëshmitarit Idriz Kadriu.
Ndërsa, gjykata ka refuzuar propozimin e prokurorisë për dëgjimin e dëshmitarëve: Trajko Nedeljkoviq, Dobrila Pantiq, Jelica Stojkoska dhe Slavisa Vukosaljeviq, me arsyetimin se gjykata edhe më herët kishte bërë përpjeke që të njëjtit të dëgjohen përmes bashkëpunimit ndërkombëtar juridik, por një kërkesë e tillë ishte refuzuar nga autoritetet e Serbisë.
“Po ashtu, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Kosovës përmes shkresës së datës 02.05.2023, nga Ministria e Drejtësisë është njoftuar zyrtarisht se Republika e Serbisë ka ndërprerë njëanshëm bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale dhe civile, andaj konsiderojmë se për shkaqe të arsyeshme, konkrete dhe objektive dhe mosprolongimit të çështjes është refuzuar propozimi i Prokurorisë”, tha tutje gjykatësi Hoti.
Sa i përket çështjes së dëshmitarëve, ka mbetur që të dëgjohet edhe dëshmitari Edvard Gashi, i cili mungoi në këtë seancë, mirëpo sipas gjykatësit Hoti i njëjti ka dorëzuar një njoftim në gjykatë se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seancë dhe për këtë ka bashkëngjitur edhe raportin mjekësor.
Avokati Berisha, në fund të seancës i ka propozuar gjykatës që për arsye shëndetësore të të mbrojturit të tij Azem Syla, gjykimi në vazhdim të mbahet në mungesë të të njëjtit.
Por, një propozim i tillë është refuzuar nga gjykata, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kriteret nga neni 303, paragrafi 5, pika 5.1, 5.2 dhe 5.3 të Kodit të Ri të Procdures Penale (i cili parasheh gjykimin në mungesë).
“Refuzohet propozimi i mbrojtjes që seanca të vazhdojë në mungesë të Azem Sylës, pasi që trupi gjykues konsideron që nuk janë përmbushur kriteret nga neni 303, par.5, pika 5.1, 5.2 dhe 5.3. I akuzuari Azem Syla deri në fund, ka qenë i pranishëm në seancat gjyqësore dhe arsyet e dhëna nga mbrojtësi, janë arsye objektive të shëndetit dhe se nuk lidhen me kriteret e dispozitës ligjore të cituar. Është në kundërshtim me dispozitat e Kodit, Kodi nuk e njeh parimin e disponibilitetit në këtë fazë, meqenëse ky shqyrtim ka filluar në mënyrë të rregullt”, ka thënë gjykatësi Hoti.
Seanca e radhës për këtë rast, u caktua më 22 maj 2023.
Ndryshe, më 17 nëntor 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.G, pasi që për të njëjtin ishte caktuar të përpilohej një ekspertizë psikiatrike dhe eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.
Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë. / Betimi për Drejtësi