Zyrtarja e lartë amerikane, Samantha Power sot dhe nesër qëndron në Prishtinë, pasi paraprakisht vizitoi për dy ditë Beogradin. Në takimin që pritet ta zhvillojë me kryeministrin Albin Kurti, ajo ka paralajmëruar se do të shtrojë “çështje të vështira”. Në një konferencë për media pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ajo përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe si çështje që tha se SHBA-ja e thekson “në çdo rast”.
Shefja e lartë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power do të qëndrojë në Kosovë sot dhe nesër dhe ndër tjerash, e ka në plan të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Të martën dhe të mërkurën ajo vizitoi Beogradin, duke u bërë udhëheqësja e parë e USAID-it që udhëton në Serbi. Nga atje, Power paralajmëroi se “patjetër do të ngre çështjet dhe sfidat e vështira përpara”, ashtu siç bëri në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Diplomatja e cila e këshilloi presidentin amerikan, Joe Biden për politikë të jashtme zgjodhi ta bëjë këtë udhëtim për t’u takuar liderët e të dyja vendeve, për t’i inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në Prishtinë, është paralajmëruar se ajo do të zhvillojë takime sot dhe nesër.
Power është zyrtarja e parë e lartë e qeverisë amerikane që vjen në Kosovë dhe Serbi pas takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel.
Çka tha Power në Beograd?
Pasi u takua me krerët e shtetit serb, shefja e USAID-it, Samantha Power tha në një konferencë për media se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kërkon guxim politik dhe se kjo do të sillte përfitime ekonomike.
Ajo të mërkurën paralajmëroi mbështetje të fortë nga SHBA-ja për hapat e ardhshëm të dialogut në javët në vijim.
Power konsideron se procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë ka lëvizur, dhe me këtë rast përmendi nënshkrimin e deklaratës për personat e zhdukur.
Ajo foli edhe për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë të cilën tha se SHBA-ja e thekson “në çdo rast”.
“Formimi i Asociacionit mbetet dhe kjo është diçka që SHBA-të e theksojnë në çdo adresim, në çdo rast, si dhe në këto bisedime me përfaqësuesit e popullit dhe qeverisë serbe. Unë, nga ana ime, do t’i inkurajoj të gjithë hapat e theksuar më parë nga Derek Chollet dhe Presidenti Biden”, tha Power.
Ajo theksoi se ndërsa normalizimi përparon, USAID do të jetë në gjendje t’i ndihmojë të dyja palët në potencialin ekonomik dhe të dërgojë një sinjal për investitorët globalë dhe tregjet globale.