Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.
Një ditë më parë ajo ishte në Beograd, ndërsa në Prishtinë do të ketë takime gjatë pasdites së sotme si dhe të premten.
Në një paraqitje për media në Serbi, shefja e USAID-it deklaroi se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë kërkon guxim politik, por do të sillte përfitime ekonomike. Shtoi se po udhëton drejt Kosovës për të ngritur çështje të ndjeshme dhe të vështira, porse normalizimi i raporteve do të çlirojë një potencial të madh ekonomik për të dy vendet.
Power deklaroi se Deklarata për të Zhdukurit që është arritur në fillim të këtij muaji mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme, por shtoi se duhet bërë progres edhe në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.