Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka thënë se veriu është në gjendje të tensionuar dhe e ka krahasuar situatën aktuale atje me vitet 2008-2011.
Ramadani ka thënë se është mirë që situata nuk ka përshkallëzuar që të kishte vëmendje më të madhe ndërkombëtare, por ka alarmuar se situata në katër komunat veriore mbetet në tension nga grupet kriminale të lidhura me Qeverinë e Serbisë.
“Janë bërë më shumë se një vit që janë ritensionu gjërat në katër komunat veriore, me synimin e qartë të Serbisë dhe grupeve kriminale të ndërlidhura me Qeverinë e Serbisë për të mbajtur në tension të përgjithshëm situatën atje, me qëllim që të ngritën tensionet deri në eskalim. Është jashtëzakonisht mirë që situata nuk ka përshkallëzuar më shumë që do të kishte vëmendje më të madhe ndërkombëtare, por ajo mbetet e përshkallëzuar në krahasim me periudhat paraprake, ose ka rieskalu sepse e tillë ka qenë brenda viteve 2008-2011”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Ish-kryeinspektori i AKI-së ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që institucionet e Kosovës t’i koordinojnë veprimet në veri që në fazën e planifikimit me bashkësinë ndërkombëtare dhe NATO-n. Ai ka shtuar se nuk duhet të ketë veprime ashtu siç ndodhi me çështjen e targave.
Ramadani ka thënë se Rusia po e mban Serbinë si një “proxy” për ta mbajtur rajonin e Ballkanit në tension, e nga kjo, sipas tij, duhet të ketë kujdes Kosova.
“Rusia e ka mbajtur vazhdimisht Serbinë si një ‘proxy’ për ta mbajtur në tension Ballkanin. Ndikimi i Serbisë është i madh për të përçarë shqiptarët dhe serbët në Kosovë. Ngjashëm ka ndodhur edhe me Bosnjën. Vuçiqi ka konfirmuar se grupi Wagner operon në Serbi. Serbia është një mini-Rusi. Në gjithë zhvillimet ndërkombëtare, pas luftës në Ukrainës, Serbia ka mbajt anën e Rusisë dhe ka vazhduar me aktivitetet ushtarake të mbrojtjes. Shtatë muaj pas luftës, ka nënshkruar marrëveshje Serbia me Rusinë se si të shpërndajnë destablitetet, paqëndrueshmëri dhe t’i krijojnë pengesë shtrirjes së NATO-s”, ka thënë ai.
Ramadani ka theksuar se pavarësisht që të gjithë e dinë se çfarë ka bërë Serbia, opinioni ndërkombëtar e ka jashtëzakonisht të nevojshme të dëgjojë në mënyrë të vazhdueshme evidentimin e saktë të veprimeve që bëjnë ata. Për këtë, sipas tij, Qeveria duhet t’i shumëfishojë përpjekjet.
Një prej rreziqeve të sigurisë së Kosovës, Ramadani ka konstatuar rrjedhjen e informacioneve nga institucionet. Sipas Ramadanit, institucionet e sigurisë duhet të rrisin kontrollin e brendshëm.
Ai pranon se ka vakum në zbatimin e ligjit në katër komunat veriore.
“Qeveria duhet të ketë plan të qartë se si duhet të rekrutojë policë apo prokurorë në veri. Unë besoj që më shumë se gjysma e të dorëhequrve mund të kthehen në polici. Rikthimi i tyre mund të sillte qetësim të situatës dhe zbatim të ligjit”, ka thënë Ramadani/KTV