Modeli që Kroacia e ka në zbatim për pakicën serbe, është përmendur si një prej shembujve për të cilin edhe qeveria e Kosovës është duke e shtyrë përpara për të aplikuar në vend. Por se çfarë përmban ky model dhe a mund të implementohet në Kosovë, kanë treguar njohësit e rrethanave politike në vend.
Disa prej kritereve që i përmendi emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak lidhur me Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, plotësohen nga një prej shembujve që po përmendet më së shpeshti këto ditë
Është modeli i shtetit të Kroacisë për pakicën serbe atje, që përputhet me ato që diplomati sllovak i përmendi, si të bazuara në normat dhe vlerat e BE-së, dhe në pajtim me modelet ekzistuese evropiane.
Por çfarë përmban ky plan dhe ku e ka bazën tregon njohësi i rrethanave politike, Artan Muhaxhiri.
Muhaxhiri ka thënë se “Ideja kryesore e planit kroat është që të ketë autonomi kulturore, arsimore dhe identitetare. Pra në Kroaci serbët insistojnë në ruajtjen e identitetit të tyre dhe në një autonomi kulturore”.
Megjithatë, sipas tij, një model i tillë është vështirë i implementueshëm në Kosovë.
“Raporti i Kroacisë me Serbinë nuk është i njëjtë me raportin e Kosovës me Serbinë dhe për këtë arsye unë mendoj që nuk do të merret shumë parasysh edhe pse është mirë që Kurti e ka vendos në tavolinë si ide nga e cila mund të nis edhe debati, gjithmonë duke e krahasuar planin e Ekipit Menaxhues”, tha ai
Ndërsa sipas analistit, Arbnor Sadiku ky model do të ishte më i miri po të pajtoheshin dy palët.
“Ky model është një model i cili i promovon të drejtat e serbëve në Kroaci në kuptimin e arsimit, kulturës edhe sportit. Por, natyrisht është një model goxha më origjinal krahasuar me të drejtat që i kanë serbët e Kosovës bazuar edhe në pakon e Ahtisaarit. Natyrisht që ky model do të ishte ideal po të pajtoheshin dy palët për ta implementojnë”, tha ai.
Në Kroaci vepron Këshilli Kombëtar i Serbëve, që si institucion merret me vetëqeversjen e serbëve që jetojnë atje, si edhe me aspektin e të drejtave të njeriut e integrimit të tyre në shoqërinë kroate.
Më herët, Qeveria e Kosovës, kishte shprehur gatishmërinë që të diskutojnë edhe për mundësinë e themelimit të një Këshilli Kombëtar për Serbët, të bazuar në atë që e kanë shqiptarët në Serbi. /TV DUKAGJINI