Turqia të dielën do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Krejt vëmendja është përqendruar te gara presidenciale mes presidentit aktual Erdogan dhe rivalit të tij kryesor, sekularistit, Kemal Kilicdaroglu. Sondazhet e fundit i kanë ofruar avantazh të lehtë rivalit të presidentit Erdogan
Presidenti i gjithëfuqishëm i Turqisë, Receep Tayyip Erdogan do të zhvillojë betejën e tij jetësore ndaj opozitës që është bashkuar për ta rrëzuar atë nga pushteti në zgjedhjet që do të mbahen të dielën.
Rivali i tij kryesor, Kemal Kilicdaroglu të premten është paraqitur para përkrahësve teksa ka bërë bashkë opozitën si kurrë më parë.
Nga Ankaraja ai ka premtuar se do t’ia kthejë Turqisë paqen dhe demokracisë.
“Ka dëm real në shtyllat e vendit, janë dëmtuar rëndë edhe shtyllat kryesore të demokracisë që janë legjislativi, gjyqësori dhe ekzekutivi. Duam që ta rregullojmë këtë. Dua të jem president dhe me të vërtetë dua që ta bëjë Turqinë vend demokratik”, ka thënë Kilicdaroglu.
Rivali që dëshiron ta rrëzojë pas 20 vjetësh në pushtet- Erdogani – ka thënë se e ka mbajtur në këmbë Turqinë, përkundër sfidave të shumta, përfshirë ekonominë dhe inflacionin dhe në muajin shkurt edhe tërmetit të madh që la më shumë se 50 mijë të vdekur në Turqi dhe Siri.
Erdogani ka thënë se do të pranojë cilindo rezultat të zgjedhjeve të së dielës.
“Erdhëm në pushtet në Turqi nëpërmjet rrugëve demokratike. Erdhëm në pushtet me besimin e popullit tonë. Ashtu siç erdhëm, nëse shteti ynë merr tjetër vendim, ne do të veprojmë njëjtë, cilado që të jetë nevoja e demokracisë. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër”, ka thënë presidenti aktual i Turqisë, Erdogan.
Krejt këto tema kanë dominuar fushatën për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Sondazhet e fundit e kanë dhënë përparësi Kilicdaroglut, 74-vjeçar, dhe përkrahësit e tij kanë guxuar të ëndërrojnë për fitore të dielën.
Partia e Kilicdaroglut është sekulare, por ka punuar shumë për të fituar përkrahjen e grave që mbajnë shami.
Tensionet kanë qenë aq të larta para të dielës sa Kilicdaroglu ka mbajtur jelek antiplumb në tubimin e fundit të fushatës që e mbajti të premten.
Edhe gara ka qenë shumë e ashpër. Njëri nga katër kandidatët për president, Muharrem Ince, është tërhequr nga gara të enjten, duke u ankuar se ishte cak i sulmeve nëpër rrjetet sociale.
Ndërkaq, kur Kilicdaroglu akuzoi Rusinë se po bën përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të Turqisë.
Mirëpo Erdogani, i cili mban lidhje të afërta me presidentin Vladimir Putin, ka paralajmëruar rivalin e tij: “Nëse e sulmon Putinin, unë nuk do të jem ‘ok’ me këtë”.
Më shumë se 64 milionë persona pritet të votojnë të dielën. Për të fituar, kandidatëve u duhet të fitojnë më shumë se gjysmën e votave. Nëse asnjëri nuk fiton së paku 50 për qind plus një votë në rundin e parë, gara presidenciale do të shkojë në balotazhin që mbahet më 28 maj.
Koalicionet politike janë bërë vendimtare në sistemin politik të Turqisë pasi partive u duhen 7 për qind të votave për të hyrë në parlament./AP