Në vlerë prej më shumë se 370 mijë eurosh është duke u bërë rikonstruktimi i rrugës “Nekibe Kelmendi”. Afati kohor për përfundimin e këtyre punimeve është për 90 ditë, ndërkaq nga Komuna e Prishtinës thonë se ky segment do të mbyllet para afatit kohor. Sot, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi kanë bërë inspektime në nisjen e fazës së dytë të këtyre punimeve në këtë rrugë.
I pari i kryeqytetit ka thënë se është duke u punuar me intensitet të lartë në të gjitha pjesët e kryeqytetit.
“Veç e kemi përfunduar pjesën e parë, e cila ka qenë 575 metra. Jemi duke filluar këtu fazën e dytë që ka me qenë edhe gjysmë kilometër. Është një pjesë e projekteve që po fillojmë, projekteve të vitit 2023 me një intensitet super të lartë. 95 për qind të projekteve vetëm se janë të tenderuara dhe kemi intensitet të shtuar të punëve, nëpër gjitha pjesët e kryeqytetit, duke përfshirë edhe zonat e malësisë së Gollakut”, ka thënë ai.
Rama është shprehur se rruga “Nekibe Kelmendi” është me rëndësi të madhe, e cila ndërlidh disa pjesë kyçe të kryeqytetit.
“Kjo rrugë këtu ‘Nekibe Kelmendi’ është me rëndësi shumë të madhe për arsye se ndërlidh disa pjesë kyçe të kryeqytetit. Për këtë arsye edhe kemi krijuar një rrugë me një dizajn të ri, e cila përmban trasenë për biçikleta, por e kemi edhe mënyrën e komunikacionit alternativ, përveç të makinave po ashtu edhe zona e këmbësorëve edhe zona e gjelbër për të krijuar edhe një ambient më të mirëfilltë edhe për qytetarët të cilët ecin nëpër këto pjesë të kryeqytetit. Është një punë intensive”, ka shtuar Rama.
I pyetur në lidhje me kaosin ne kryeqytet dhe vazhdimin e sheshit deri te “Katedralja”, Rama ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të përballohet nëse të gjithë lëvizin me makina.
“Nëse të gjithë qytetarët e Prishtinës edhe të vendeve të tjera, të cilët vijnë të punojnë apo të kalojnë kohën në qytet, vijnë deri në pikë të qendrës me makina, kaosin nuk do të mund ta përballojmë kurrë, asnjëherë. Po ashtu, duke pas parasysh që kemi me miliona metra katror duke u ndërtuar mu në qendër të Prishtinës, si lagjja e Pejtonit, Muhaxherëve, Tophane, kaosi ka qenë. Kaosin jemi duke e luftuar edhe ne duhet tu japim prioritet ose një bulevard, ku qytetarët e Prishtinës do të mund të marrin frymë shlirë “, ka deklaruar i pari i kryeqytetit.
Ndërkaq, drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi është shprehur se afati kohor për përfundimin e punimeve në rrugën “Nekibe Kelmendi” është 90 ditë.
“Ne do t’i vendosim të gjitha instalimet nëntokësore. Afati i përfundimit të punimeve do të jetë 90 ditë. Ne do ta përmbyllim para afatit kohor këtë segment. Vlera është 378 mijë euro. Si e tillë ne i kemi gjithë inxhinierët këtu që do të bëjmë mbikëqyrje të rregullt dhe punimet normalisht do të kenë standard, cilësi dhe do ta përmbyllim sipas afatit kohor”, ka bërë të ditur ai.
Xhaferi ka njoftuar se punimet janë duke vazhduar edhe te hekurudha, ku javën e kaluar është përmbyllur projekti sa i përket problemit që ka qenë me varrezat ortodokse dhe ato katolike