Në Bruksel është mbajtur raundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash. Ky raund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj. I dërguari Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë.
“Kam pritur kryenegociatorët e Kosovës Besnik Bislimi dhe Serbisë Petar Petkoviq për një raund tjetër të takimeve të Dialogut në Bruksel. Ne diskutuam rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe synuam të qartësojmë pyetjet e hapura. Diskutimet do të vazhdojnë.”, tha Lajçak në Twitter.