Tjetërsimi i jashtëligjshëm i pronës së RTP-së, Kushtetuesja kthen në rivendosje çështjen e Qehajës

by informim

Gjykata Kushtetuese e ka kthyer në rivendosje çështjen e parashtruar nga Shkumbin Qehaja ndaj Aktgjykimit të dhënë nga Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Qehaja pati parashtruar ankesë ndaj këtij Kolegji pasi kishte kërkuar mbajtje të seancës dëgjimore lidhur me rastin për tjetërsimin e pronës së RTP-së, por që i ishte refuzuar.

Kushtetuesja ka thënë se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Supremes është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në Kushtetutë. Në vendimin e Kushtetueses thuhet se Kolegji ka qenë i detyruar ta trajtojë domosdoshmërinë e mbajtjes së seancës dëgjimore, “detyrim ky të cilin në fakt, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, bazuar në ligjin e aplikueshëm, e ka edhe sipas detyrës zyrtare”.

Me këtë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje procedurale në procedurat para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme si “rezultat i mostrajtimit, refuzimit dhe mungesës së arsyetimit të mosmbajtjes së seancave dëgjimore në dy shkallë vendimmarrjeje”.

Rrethanat e rastit lidhem me një padi që kishte ushtruar Shkumbin Qehaja kundër Radiotelevizionit të Prishtinës, për vërtetimin e të drejtës pronësore mbi një ngastër kadastrale në Prishtinë, e cila nga shkresat e lëndës rezulton të jetë në pronësi shoqërore. Qehaja dhe përfaqësuesit e Radiotelevizionit të Prishtinës, më 10 prill 2019 kishin arritur pajtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe më pas prona e kontestuar kishte kaluar në pronësi të Qehajës. Megjithatë , më 28 tetor 2019 Agjencia Kosovare e Privatizimit, si përfaqësuese e ndërmarrjeve shoqërore, kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar anulimin e pajtimit gjyqësor, me theks në kontestimin e kompetencës së Themelores për këtë proces gjyqësor.

AKP-ja pati thënë se Themelorja nuk ka pasur kompetencë lëndore për këtë rast dhe se atë është dashur ta përcjellë në Dhomën e Posaçme të Supremes. Pasi u trajtua padia, Themelorja qe shpallur jokompetente duke e dërguar lëndën në Dhomën e Posaçme.

Qehaja pati kërkuar më pas edhe mbajtjen e seancës dëgjimore. Por, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Supremes duke e aprovuar padinë e AKP-së se pajtimi gjyqësor i arritur në Themelore nuk prodhon efekte juridike pasi nuk ka qenë kompetente për rastin, e refuzoi edhe kërkesën e Qehajës për mbajtje të seancës.

Qehaja më pas kundërshtoi edhe vendimin e Kolegjit, dhe kërkoi sërish mbajtjen e seancës dëgjimore. Kur Kolegji ia refuzoi kërkesën, Qehaja ankesën e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstatoi në fund ta kthejë çështjen në rivendosje – përkatësisht çështjen lidhur me mungesën e seancës dëgjimore, që nuk ndërlidhet me rastin konkret të pronës së RTP-së.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy