Ukshin Hoti kujtohet si simbol i Republikës

by informim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar atdhetarin Ukshin Hoti, në 24-vjetorin e zhdukjes me dhunë nga forcat serbe.

Ajo ka thënë se prej 24 vjetësh, fati i atdhetarit e intelektualit Ukshin Hoti mbetet i pazbardhur, teksa emri i tij vazhdon të mbetet në listën e të zhdukurve me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Ka shtuar se më 16 maj të vitit 1999, pas lirimit nga Burgu i Dubravës, në rrethana ende të pandriçuara ai është rrëmbyer me dhunë, teksa përpjekja për të zbardhur fatin e tij nuk është ndalur asnjëherë.

“Besniku i idesë së Republikës është referencë e jona e vazhdueshme për angazhimin kombëtar. Ukshin Hoti është njeriu që mendimin politik dhe aktivitetin politik i bëri bashkë në dobi të mirë të përmbushjes së idesë për Kosovën shtet. Sot e kujtojmë me respekt si simbol i Republikës, lirisë dhe demokracisë! Këto parime na udhëheqin në rrugëtimin e fuqizimit të shtetit, ndërsa angazhimi ynë për zbardhjen e fatit të tij nuk do të ndalet asnjëherë”, ka thënë ajo.

Të martën janë bërë 24 vjet nga zhdukja e profesorit Ukshin Hoti. Me këtë rast kryeministri Albin Kuti në një status në Facebook ka shkruar se zhdukja e tij është krim i pazbardhur i Serbisë.

“Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve”, ka shkruar Kurti në Facebook, duke shtuar se Hoti pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, u lirua nga burgu në mes të luftës e pas lirimit më 16 maj 1999, ai u zhduk

“Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”, ka shkruar kreu i Qeverisë.

Kurti ka shkruar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

Sipas tij me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vjetësh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. “Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Krasniqi: Ukshin Hoti la gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar Ukshin Hotin.

Ai ka thënë se Hoti është i zhdukur dhunshëm nga duart e shtetit serb, me paramendim.

Krasniqi ka thënë se Hoti ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

“Ishte e diel, 16 maj i vitit 1999. Kosova po digjej në flakë, e mijëra të burgosur po mbaheshin padrejtësisht nëpër shumë burgje serbe, brenda dhe jashtë Kosovës. Ndër ta, edhe profesor Ukshin Hoti – i cili po vuante dënimin prej pesë vitesh në burgun e Dubravës. Atë ditë pushimi, ditë krejt e pazakontë për lirimet nga burgu, dy roje shoqërojnë Profesor Hotin nga çelia nëpër korridorin që dërgonte jashtë. Nga ai moment, Ukshin Hoti nuk është më. Asnjë fjalë. Asnjë lajm. Asnjë informatë. I munguar, sot e 24 vjet. Megjithatë, i munguar vetëm fizikisht, sepse, si veprimtar, intelektual e atdhetar, përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, Profesor Hoti ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka thënë se nuk do të dorëzohen asnjëherë për të kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e Hotit.

“Prandaj, ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë duke kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e dhunshme të Profesor Hotit. Njëjtë si edhe për të gjithë 1617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë e të cilët figurojnë akoma të pagjetur. Sepse ata, të gjithë, janë plaga jonë e hapur. Janë dhembja jonë e përditshme”, ka thënë ai.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy