Blloku A5 u kthye në operim si “dhuratë për ditëlindjen e Ministres” pastaj ra, KEK: Ishte fazë testuese
Korporatës Energjetike të Kosovës i kanë dal sërish probleme me bllokun A-5 të “Kosova A”. Blloku i cili ishte jashtë funksionit për gati dhjetë muaj dhe arriti të kthehej në operim tek para dy javësh, dje ka rënë sërish nga funksioni. Nga KEK kanë deklaruar se njësia ka qenë në fazë testuese, edhe pse kur ishte dhënë njoftimi për kthimin e saj në funksion ishte thënë se kjo ishte bërë pas testimeve të rregullta provuese, duke lënë të nënkuptohej se kishin përfunduar testimet.
Festa që u bë për kthimin në operim të bllokut A5 s’u ka zgjatur shumë Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit dhe menaxhmentit të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Kthimi i këtij blloku në funksion u bë më 6 maj, që rastisi të jetë edhe ditëlindja e Rizvanollit. Ajo e cilësoi këtë si “dhuratën më të mirë”.
Por, vetëm dhjetë ditë pasi u kthye në operim, ky bllok ka rënë sërish nga funksioni.
Nga Korporata Energjetike e Kosovës e kanë konfirmuar për Gazetën Express se blloku është jashtë funksionit.
Zëdhënësi i KEK, Skënder Bucolli, ka deklaruar se kjo njësi ka qenë në fazë testuese dhe se ndaljet janë të planifikuara/nevojshme për eliminimin e vërejtjeve për operim të sigurt të njësisë.
Ai ka thënë se njësia pritet të kthehet shumë shpejt në funksion.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se njësia A5 pas remontit kapital ka hyrë në operim me datë: 06.05.2023 dhe ka qenë në fazë testuese. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar të gjitha vërejtjet të cilat jemi në fazën e eliminimit dhe njësia pritet të kthehet në operim së shpejti. Për më tepër, pas remonteve kapitale janë të planifikuara-nevojshme ndaljet për eliminimin e vërejtjeve për operim të sigurt të njësisë përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Bucollit për Express.
Ndonëse Bucolli ka deklaruar se njësia ka qenë në fazë testuese, kur ishte njoftuar për kthimin në funksion, ishte thënë se kjo është bërë pas testimeve të rregullta provuese.
“Njësia A-5 e Termocentralit Kosova A ka përfunduar riparimin kapital të turbinës dhe gjeneratorit nga kompania Monting Energetika, si dhe riparimin e kaldajës nga stafi i KEK-ut dhe kontraktorë që kanë qenë të angazhuar më herët me kontratë kornizë. Njësia A-5, pas testimeve të rregullta provuese është rikthyer në operim me 06.05.2023 rreth orës 11:50 dhe është sinkronizuar me rrjetin duke ofruar kapacitetin prej rreth 140 MË/h”, thuhej në njoftimin e KEK.
Telashet e KEK’ut me bllokun A5
Blloku A-5 i Termocentralit Kosova A, ka qenë jashtë funksionit qe gati një vit.
Remonti i kësaj njësie ishte zvarritur muaj me radhë, nën arsyetimin se s’po gjendet kompani e përgjegjshme.
“Ka 2-3 muaj që po kemi telash me e gjet një kompani të përgjegjshme, e cila e rehabiliton A5shin. Nuk ka. Tash kanë ardh disa oferta, jemi në process të trajtimit. Shumica e tyre të papërgjegjshme, jo serioze, sepse thjeshtë ka pak gatishmëri të kompanive me renome të vazhdojnë të merren me renovim të kapaciteteve të vjetra me qymyr. Nuk po aplikojnë, sepse kanë marrë udhëzime me shku me u marr me energji të ripërtëritshme, kapacitetet e tyre me u marr me energji të ripërtëritshme. Nuk është tu punu fare A5’shi, aty është problemi. Pa u kry renovimi…”, kishte deklaruar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një debat televiziv.
Për të zgjidhur problemet me këtë njësi, KEK kishte angazhuar ekspertë gjermanë.
“Angazhimi i eksperteve për dhënien e rekomandimeve për aftësimin e bllokut A5”, ishte titulli i kontratës që i është dhënë kompanisë gjermane “DSD Poëer Technologies GmbH”, përmes procedurës së negociuar.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-Prokurim, ekspertët gjermanë do të paguheshin gati 53 mijë euro për dhënien e këtyre rekomandimeve, çmim ky që ishte llogaritur pa TVSH (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar).
Për këtë bllok janë ngritur disa herë dyshime se po lihet jashtë funksionit qëllimisht.
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, kishte ngritur dyshime se ky bllok është lënë qëllimisht jashtë funksionit, për të përftituar “mafia energjetike në krye me Martin Berishajn”.
Sipas tij, po të mos ishte zvarritur remonti i këtij blloku e do të ishte menaxhuar si duhet, s’do të kishte nevojë që energjia elektrike të shtrenjtohej për rreth 15 përqind.
“Nëse nuk do të ishte zvarritur remonti i këtij blloku e do të ishte menaxhuar si duhet, nuk do të kishte pasë nevojë për këtë ngritje të çmimit prej 15%. E krejt kjo situatë e krijuar me mungesën e vullnetit për të investuar në kapacitete të prodhimit duket të jetë e qëllimshme dhe mund ti konvenojë vetëm mafisë energjetike ne krye me Martin Berishaj, për tu shndërruar në bankomat për Kryeministrin!”, shkroi Azemi.
Dyshimet e ngritura nga Azemi i kishte mbrojtur edhe kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku.
“Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milionë euro rrymë. Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë. Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë!”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Një tender për këtë bllok dyshohet se e çoi në burg Nagip Krasniqin
Kryeshefi i pezulluar i KEK’ut, Nagip Krasniqi, dyshohet të jetë arrestuar pikërisht për një kontratë për punime në këtë bllok, saktësisht për riparimin emergjent të kalldajës.
Ai është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale, si i dyshuar për tri vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Ushtrimi i ndikimit dhe Konflikti i interesit.
Kontrata për këtë tender që është ishte dhënë me procedurë të negociuar, ishte nënshkruar më 27 janar të këtij viti.
Riparimi i kësaj kalldaje i ishte besuar grupit të operatorëve ekonomikë “Litëin SA; Bujar B. Shala B.I”.
“Punët e demontimit, Pastrimin dhe krijimin e kushteve për punë, Shqyrtimet në sistemin gypor dhe paimeve të demtuara dhe atyre që janë nën dyshimin e dëmtimit, Liferimin e paimeve të specifikuara, montimin e paimeve të reja, Sanimi i paimeve të dëmtuara, Ekzaminimin sipas standardeve për saldet në pjesen nën presion me 10%- me radiografi, Komisionimin e ftoftë dhe të nxehtë, që nënkupton; kthimin në punë dhe ekzekutimin e testit funksional të bllokut ; kontrrollat e sigurisë dhe dorëzimin e raportit për punët e kryera”, ishin punët që do të kryente ky grup i operatorëve ekonomikë.
Korporata Energjetike e Kosovës i kishte quajtur të pavërteta raportimet se Krasniqi është arrestuar për këtë kontratë, duke thënë se është ndërprerë më 20 mars dhe se s’është realizuar asnjë pagesë në favor të operatorit.
“Kontrata për “Riparimin emergjent të kaldajës në Bllokun A5”, është nënshkruar ne fund të muajit janar të këtij viti, por që e njëjta është ndërprere më dt. 20.03. 2023 pasi që operatori ekonomik ka dështuar t’i plotësojë kushtet kontraktuale sipas kontratës se nënshkruar (dorëzimin e garancionit financiar për ekzekutimin e punëve). Prandaj është më rendësi të theksohet se KEK nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar meqë asnjë pagese nuk është realizuar në favor të operatorit”, thuhet në reagimin e KEK.
Por, këto raportime i ka konfirmuar avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga
Përmes një postimi në Facebook, Ibrahimaga ka thënë se Krasniqi po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare pikërisht për këtë kontratë.
“Vepra penale qe ngarkohet Nagip Krasniqi ka të bëje me supozimin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare për përfitim për vete ose dikë tjetër. Dyshimi i bazuar sipas prokurorisë është ekzistimi i kontratës me Kompaninë Zvicerane për riparimin e kaldajës për bllokun A5. Kjo kontratë është shkëputur me datë 20.03.2023 nga vet Nagip Krasniqi. Asnjë pagese nuk ështe bëre. Prokuroria është e njoftuar me ketë detaj. Askush nuk ka përfituar. KEK nuk ka pasuar asgjë. Si rrjedhoje lidhur me ketë çështje nuk mund te ekzistoj vepra penale”, ka shkruar Ibrahimaga.