Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar ndryshime në Ligjin për Tatimin në Pronë.
Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për financa dhe qeverisje të mirë në PDK, ka sqaruar se kjo parti kërkon largimin e kufirit prej 0.15% të tatimit në pronë, ashtu që komunave t’u lihet më shumë fleksibilitet.
Ai ka theksuar se në procesin e rivlerësimit të pronave ekziston jotransparenca, andaj shpjegoi se PDK-ja kërkon vlerësim të ri, transparencë dhe gjithëpërfshirje.
“Kjo çka ka ndodhë në Kosovë paraqet një veprim plotësisht të pamatur dhe të palogjikshëm politikisht, pasi kjo Qeveri me veprimin e saj dyfishoi faturën e tatimit në pronë në kohën kur qytetarët po ballafaqohen me vështirësi për përballimin e rritjes së kostos së jetesës”.
Mustafa ka thënë se rivlerësimi i pronave është bërë pa i analizuar problemet në terren dhe në dëm të qytetarëve.
“Këto vlerësime janë në linjë me veprimet e kësaj Qeverie që mundohet t’i zgjidhë problemet e vendit nga zyra, pa prekur problemet dhe realitetin në terren. Këto vlerësime janë bërë në mënyrë transparente, qytetarët nuk kanë qenë të njoftuar se po ndodh rivlerësimi i pronave. Me gjasë ky ka qenë proces burokratik pa i marrë parasysh kushtet në terren”, ka thënë ai