Partia Socialdemokrate (PSD) i ka cilësuar përndjekje politike bastisjet që janë kryer të mërkurën tek ish-zyrtarët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), që janë pjesë e kësaj partie.
Ish – aksionari i NPB, Dren Kukaj, në një konferencë për media ka folur për bastisjet që i ka bërë Policia nën dyshimin për keqpërdorime në këtë ndërmarrje.
Kukaj ka thënë se bastisjet janë përndjekje politike që po i bëhet atij dhe PSD-së. Ai ka kritikuar edhe reagimin e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për këto bastisje.
“Ministri i Punëve te Brendshme pa përfunduar aksioni thotë ka qenë aksion i suksesshëm. Çka ka të suksesshme këtu. Jam i bindur në ligjshmërinë e veprimeve. Jemi bere cak i përndjekjeve politike”, ka theksuar Kukaj.
Ai ka treguar se i është bastisur banesa e tij dhe shtëpia e prindërve.
“Sot më janë bastisur fillimisht shtëpia e prindërve, pastaj në banesë, kanë hyrë në banesë dhe e kanë bastisur tërë banesën. Kanë marrë 2 kompjuterë të prindërve dhe një telefon personal, pastaj e kanë bastisë banesën ku jetoj me grua dhe fëmijë, ma morën veç telefonin”, ka deklaruar Kukaj.
Në këtë konferencë ka folur edhe kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj.
Ai ka thënë se “është krejtësisht e qartë që aksioni është një përndjekje politike”.
“Jo rastësisht qytetarët na thonë ju jeni opozita e vetme, ata nuk kishin problem me hajni por me ata që bëjnë opozitë”, ka theksuar Molliqaj.