Agjencia e Statistikave të Kosovës njoftoi se regjistrimi i popullsisë në pjesën veriore të Kosovës, për dallim nga komunat tjera të vendit, do të jetë sfidë, për shkak të dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri. Ndërsa, procesi i regjistrimit të popullsisë pritet të nisë më 1 shtator 2023 dhe do të zgjasë deri më 16 tetor 2023.
“Për momentin ASK-ja i ka realizuar të gjitha aktivitetet, por situata në katër komunat veriore ka bërë që ne duhet të ndryshojmë Ligjin për regjistrim, sepse ligji parashikon që gjashtë muaj para datës së regjistrimit, kryetarët e komunave duhet të propozojnë anëtarët e komisionit komunal për regjistrim, pasi që kryetarët e katër komunave paraprakisht kanë dorëzuar dorëheqjet dhe propozimet nuk janë paraqitur me kohë, në mënyrë që të jenë në përputhje me ligjin për regjistrimin e popullsisë. ”, tha Ilir Berisha, ushtrues i detyrës së kreut të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Ai poashtu theksoi se shumë shpejt do të dërgohet ligji për amandementim. “Ne besojmë se ligji shumë shpejt do të dërgohet për amendamentim, i cili do të shqyrtojë qështjen e gjashtë muajve në lidhje me zgjedhjet vendore, sepse ligji parashikon që gjashtë muaj para regjistrimit të mos mbahen zgjedhjet lokale apo qendrore, por në Kosovë kemi pasur zgjedhje lokale në katër komuna. Tani ligji duhet të ndryshohet për të lejuar që kryetarët e komunave të jenë përjashtim, ose në rastet kur komuna zgjedh një kryetar tjetër, pra në zgjedhje të tjera, atëherë mund të ketë përjashtime dhe do të ndryshohet për të qenë në përputhje me ligjin që do të formojnë komisione komunale dhe në këto katër komuna të Kosovës që ende nuk janë formuar”, tha Berisha.
Kryetarët e katër komunave veriore dhanë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022, ndërsa zgjedhjet në ato komuna u shtynë për në prill të këtij viti dhe kryetarët e rinj ende nuk kanë bërë betimin.