Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, ka treguar se ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Chollet ka thënë se të dy krerëve u ka bërë thirrje që të evitohen veprimet provokuese në veri të Kosovës.
Chollet në bisedë me Kurtin ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i Asociacionit, do të hap dyert për “njohjen e ndërsjellë eventuale”.
“Një bisedë e mirë me kryeministrin Albin Kurti pas takimit të negociatorëve. Kam cekur rëndësinë që të gjitha palët të evitojnë veprimet provokuese në veri. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe zbatimi i Asociacionit do të hap dyert për Kosovën, përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë eventuale”, ka shkruar Chollet në Twitter.
Ndërsa për bisedën me Vuçiqin, Chollet, ka thënë se “SHBA-ja po shtyn për zbatim të menjëhershëm të Asociaconit”.
“Bisedë ne mirë me presidentin Vuçiq për nevojën që të përparohet në normalizimin me Kosovën. SHBA-ja vazhdon të shtyjë për përparim të menjëhershëm drejt Asociacionit dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione lokale. Kam cekur rëndësinë që të gjitha palët të evitojnë veprimet provokuese në veri”, ka shkruar Chollet.