​Presidenti çek dhe ai finlandez kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE

by informim

Presidenti çek, Petr Pavel dhe ai finlandez, Sauli Niinisto shfrytëzuan Samitin e katërt të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës në Reykjavik të Islandës për të shprehur mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Edhe pse ky samit iu dedikua Ukrainës, Pavel në fjalën tij deklaroi se Kosova duhet të bëhet sa më shpejtë anëtare e Këshillit të Evropës.

banner

“Ndërsa ne fokusohemi te situata në Ukrainë, nuk duhet të harrojmë Gjeorgjinë, Moldavinë, si dhe partnerët e tjerë që po përballen me presionin dhe frikësimin rus. Ata mund të llogarisin në mbështetjen tonë, duke përfshirë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Gjithashtu do të doja të shfrytëzoj këtë rast për të ritheksuar mbështetjen tonë të plotë për synimin e Kosovës për t’u bërë sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës”, deklaroi Pavel.

Edhe presidenti finlandez, Sauli Niinisto, tha se nuk duhet harruar Ballkani Perëndimor duke ritheksuar mbështetjen për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ndërsa vëmendja jonë kryesore është me të drejtë nga Ukraina, ne theksojmë nevojën për mbështetje edhe për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Finlanda mirëpret hapat e mëtejshëm për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndërsa sistemi shumëpalësh i bazuar në rregulla sfidohet, Këshilli i Evropës meriton mbështetjen tonë më të fortë”, deklaroi Niinisto.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022 ndërsa në fund të prillit të këtij më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare.

Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sipas MPJD-së, do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës. Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim.

Ndërsa, ky samit që u mbajt në Islandë është një mundësi për të riafirmuar angazhimin e përbashkët ndaj vlerave thelbësore të Këshillit të Evropës dhe për të rifokusuar misionin e tij në dritën e kërcënimeve të reja ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe për të mbështetur më tej Ukrainën për të ndihmuar në arritjen e drejtësisë për viktimat e agresionit rus.

Në këtë samit, foli edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që kërkoi nga Asambleja e Këshillit të Evropës të heqë njollën ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që ishte vënë me raportin e Dick Martyt, pasi pretendimet e tij për trafik organesh janë rrëzuar.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy