Analistët kritikojnë qasjen e kryeministrit Rama për dialogun Kosovë-Serbi

by informim

Shqipëria duhet të ketë rol më pro aktiv në mbështetje të Kosovës në dialogun me Serbinë, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Tiranë. Sipas tyre, me intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe me diskutimet për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Shqipëria duhet të angazhohet më shumë për të lobuar tek aleatët ndërkombëtarë që Asociacioni të jetë brenda kornizës kushtetuese të Kosovës.

Analisti politik në Shqipëri, Lutfi Dervishi, ka thënë se Shqipëria ka një pozicion delikat në raport me dialogun Kosovë-Serbi, pikërisht për shkak të afërsisë së kryeministrit Edi Rama me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Është e tepërt të thuhet se Shqipëria duhet të jetë në krah të Kosovës. Për fat të keq, kjo është minuar si thënie, po të marrin si shembull vetëm Ballkanin e Hapur. Shqipëria tashmë ka një pozicion delikat ndërkombëtar, pasi më shumë është afruar kryeministri me presidentin e Serbisë sesa me kryeministrin e Kosovës në këtë proces. Por thënë këtë, intensifikimi i dialogut, takimeve, mbledhjeve të përbashkëta qeveritare duhet të çojnë në produkte konkrete. Do të duhej të bëhet më pak fjalë dhe më shumë punë në kuptim të integrimit të dy ekonomive”, ka theksuar ai

Ndërsa edhe analisti tjetër në Shqipëri, Ben Andoni, ka deklaruar se në Shqipëri ka një lloj indiference për Kosovën, megjithëse kryeministri Rama ka mbajtur qëndrime të mira për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

“Në Tiranë ka një lloj indiference për Kosovën dhe zotëri Rama në momente të caktuara vërtet ka mbajtur qëndrime të mira për Kosovën si në Parlamentin Evropian apo vende të tjera, por në vazhdimësi ka një lloj indiference në Tiranë sa i përket Kosovës, që mund të trajtohesh edhe si gjë të mirë, pasi tek e fundit Kosova është e pavarur dhe po bënë rrugën e saj. Nga ana tjetër të shqetëson kjo pjesa, ne kemi shtatë apo tetë mbledhje të përbashkëta, ku kanë prodhuar materiale pa fund, por ti nuk sheh një intensifikim të punës për tregun e përbashkët”, deklaroi Andoni.

Në anën tjetër, Dervishi thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë më shumë presion Serbisë për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi dhe aneksin e tij. Ai bënë thirrje institucioneve kosovare të paraqesin një draft për Asociacionin, i cili do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

“Është gjë e mirë që Kosova duhet të paraqesë vet një draft dhe të jetë i gjithi në përputhje me Kushtetutën. Por ka një histori që po zvarritet, Kosova e pavarur është një realitet që daton që nga fundi i shekullit të kaluar. Ajo çfarë kërkon Kosova në këtë proces është e qartë, një njohje. Kurse ajo çka kërkon Serbia nuk është krejt e qartë, pasi kërkon gjithmonë që të ketë një gozhdë në Kosovë që të përdorë për interesat e veta”, theksoi Dervishi.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy