Zëvendësuesit e Vladimir Putin janë duke pritur shansin e tyre të artë, teksa rivalitetet e Kremlinit dhe pengesat e luftës në Ukrainë vënë në pikëpyetje të ardhmen e despotit rus. Mandati aktual presidencial i Vladimir Putin është caktuar të përfundojë zyrtarisht në mars 2024. Ndryshimet në kushtetutën ruse në 2020 rivendosën mandatet e tij të mëparshme, duke e lejuar atë të kandidojë për presidencën sërish në 2024 dhe potencialisht të zgjasë sundimin e tij deri në vitin 2036. E ardhmja e presidencës së Putinit varet nga rezultati i konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë, pasi Kremlini synon të përfundojë operacionin ushtarak përpara zgjedhjeve të ardhshme për të treguar një lloj fitoreje. Nëse qëllimet strategjike nuk arrihen në kohë, gjasat për ndryshimin epushtetit mund të rriten.Nga një fermer milioner që beson se Stalini ishte “udhëheqësi më i madh” i Rusisë i të gjitha kohërave deri te një udhëheqës ultra-ortodoks, milicia e të cilit patrullon rrugët e Moskës, ka një sërë “trashëgimtarësh” të mundshëm të Putinit. Megjithatë, diçka është e sigurt, se pavarësisht nëse vijnë nga brenda apo jashtë Kremlinit, nga e majta apo e djathta, grupi i pretendentëve për të zëvendësuar Putinin mund të shkaktojë telashe pa fund.
Dmitry Medvedev
Ndër pretendentët kryesorë për të marrë frenat nëse Putini rrëzohet ose jep dorëheqjen është ndihmësi afatgjatë i presidentit rus, Dmitry Medvedev. Medvedev e ka mbajtur këtë post më parë, në vitin 2008 kur Putin arriti kufirin e mandatit të tij si president, megjithëse ai mbetej fuqia e vërtetë pas fronit. Pavarësisht se dikur u konsiderua si një reformator potencial liberal, Medvedev tani duket se është një nga “skifterët më të zjarrtë” të Kremlinit për çështjen e Ukrainës, Perëndimit dhe NATO-s. Që nga pushtimi i paligjshëm i Putinit në Ukrainë, 57-vjeçari është përpjekur ta portretizojë veten si një nacionalist i flaktë rus, duke bërë deklarata bombastike që kërcënojnë me Luftën e Tretë Botërore dhe armagedonin bërthamor nëse Perëndimi nuk tërhiqet.
Njeriu i parave – Mikhail Mishustin
Gjithashtu në garë për të zëvendësuar Putinin, është edhe kryeministri rus Mikhail Mishustin, një teknokrat i panjohur, i cili gëzoi një ngritje politike meteorike. Skandalet financiare kanë ndikuar në karrierën e Mishustinit. Gjithsesi ai duket se ka një perandori të fshehtë pronash me vlerë disa miliona. Mishustin thuhet se është pronar i një pallati masiv prej 10,000 metrash katrorë, në një truall prej 60,000 metrash katrorë në lagjen prestigjioze Rublyovka të Moskës, i njohur si një nga zonat më të pasura dhe më të shtrenjta të qytetit.Medvedev dhe Mishustin konsiderohen si njerëz të brendshëm të Kremlinit, ndaj ekonomia e dobët e Rusisë dhe performanca e dobët ushtarake në Ukrainë mund të nxisin një sërë politikanësh që të kandidojnë.
Pavel Grudinin
Pavel Grudinin, një fermer i pasur, është krahasuar me Donald Trumpin, për retorikën e tij populiste dhe personalitetin e paturpshëm të biznesmenit. Grudinin ka deklaruar tashmë synimin e tij për të kandiduar përsëri në 2024 nën flamurin e Partisë Komuniste Ruse. Nëse zgjidhet, ai është zotuar të shpërndajë Dumën e Shtetit dhe të rikuperojë fitimet e marra në mënyrë të paligjshme përmes shtetëzimit.
Maxim Suraykin
Ai është lideri i partisë “Komunistët e Rusisë”. Programi presidencial i Suraykin, “Dhjetë goditje staliniste ndaj kapitalizmit”, synon të rivendosë Bashkimin Sovjetik dhe të krijojë një “Bashkim Euroaziatik”. Ai ka argumentuar gjithashtu për rivendosjen e traktateve ushtarake me Venezuelën dhe Korenë e Veriut për të formuar një aleancë mbrojtëse të “shteteve anti-imperialiste”.
Ivan Otrakovsky
Një sërë figurash nga e djathta ekstreme aktive politike e Rusisë pritet gjithashtu të kandidojnë për presidencën në vitin 2024. Midis tyre është Ivan Otrakovsky, kreu i Rusisë së Shenjtë, një organizatë ortodokse ruse e cila njihet për organizimin e patrullave rreth Moskës në kërkim të kujtdo që grupi e konsideron si “blasfemues” ose “armiq të besimit”. Ai dëshiron ta paraqesë luftën në Ukrainë si një “Luftë të Shenjtë”.